Ndërsa seanca e parë për votimin e Presidentit të Ri të Republikës është parashikuar të mbahet pasditen e së hënës, palët duken ende larg konsensusit.

Përfaqësuesit e maxhorancës nisën sot takimet me krerët e grupeve parlamentare të opozitës, ndërsa i pari që artikuloi djegien e votimit të parë në seancë plenare ishte Fatmir Mediu.

“Sic e shoh procesi nuk do të ketë kandidatë ditën e hënë. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Ka njerëz me kontribute të këtij vendi, duhet të jemi sa më të gjerë kur duhet të zgjedhim kandidat për President Republike. Qëndrimi ynë është i qartë fillimisht duhet të gjejmë dakordësi me opozitën, pa dakordësi me opozitën nuk ka vlerë dakordësia me maxhorancën, do ishte thjesht një lojë politike.” përfundoi Mediu prononcimin e tij për mediat në përfundim të takimit me Ballën.

Sakaq Shpëtim Idrizi ndonëse theksoi se ka ardhur koha të flitet me emra, u shpreh kundër kriterit të kreut të grupit parlamentar të PD, për një president jo politik.

“Presidenti i ri duhet të jetë me eksperiencë politike, edhe pse jemi në kushtet që kemi prishje të balancave politike. E thënë kështu ne gjetëm një vullnet të mirë, vlen për ta verifikuar që nuk do kemi një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme, ramë dakord që të hyjmë në proces kushtetues, nuk duhet të jemi me ecejake mes nesh, të fillojmë të identifikojmë kandidaturat.” u shpreh Idrizi.

Sakaq, ndërsa informoi zyrtarisht grupet parlamentare përfshi edhe të maxhorancës për qëndrimin e tyre, Enkelejd Alibeaj u shpreh i hapur për të negociouar një prej kritereve në draftin që mban firmën e tij atë të presidentit jo politik. Ndër të tjera, Alibeaj tha se kjo maxhorancë nuk e ka legjitimitetin të caktojë e vetme presidentin e Republikës, e për këtë solli në vëmendjen vendimin e DASH për non gratat.

“U ofruam për të pasur një proces, ai është i rëndësishëm, i sinqertë i bazuar në kritere, procedurë, garancia e parë e domosdoshëm ashtu siç, presidenti qytetari i parë që simbolizon unitetin e popullit, për këtë arsye ia kam përcjellë qëndrimin zyrtarë PD grupit parlamentar edhe të grupeve të tjera e shohim të udhës që me këtë proces që duhet të jetë i tillë që as me aparencë të mos perceptohet i lojë.  “Duhet të jetë një presidenti mbi të gjitha antikomunist. Çfarë do të thotë një president antikomunist? Kandidati mos të jetë bashkëpunëtor në periudhën, mos ketë qenë në dosjet politike të diktaturës. Dëshmitë për angazhimin për çrrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh. E udhës është që në bazë të kritereve ne të qëndrojmë fort.  Është vendosur edhe një lloj kriteri, për mos aktivizimin në politikë, por ky kriter nuk është i shkruar në gur. Ne këtë qëndrim tonin ia ofrojmë grupeve parlamentare, sidomos atyre të opozitës. Jemi të hapur ti diskutojmë.” tha Alibeaj.

Për zgjedhjen e kreut të Shtetit. kushtetuta ka parashikuar 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash. Ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

 

Top Channel