Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin tha se nëse Kosova arrin të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli neutralitetin ushtarak.
Sipas N1, ai tha se votimi i anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për kërkesën e Kosovës do të tregojë se çfarë mendojnë ata në realitet për Serbinë.
“Ne nuk na duhet të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të territorit [Kosovës] në një organizatë që është e përbërë nga shtete [evropiane]”, tha Vulin në një deklaratë.
Ai shtoi se “nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli neutralitetin ushtarak”.
“Nëse nuk mund të zgjedhim armiqtë tanë, të paktën të zgjedhim miqtë tanë”, tha Vulin gjatë komentit për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lajmëroi sot se ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.
Vetë ministrja Gërvalla përmes një video-mesazhi ka njoftuar për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim.
“Sapo dola nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka theksuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill të Evropës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me rastin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 13 maj.
Pas kërkesës së Kosovës, Vuçiç tha se me këtë veprim, Kosova “e shkeli brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, tha se vetëm kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Kosova ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët”, theksoi Vulin.
Ai u shpreh se “deri tani është kuptuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen sa Marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”.
Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.
Një shumicë prej dy të tretash kërkohet që një vend të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe gëzimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Top Channel