Pikërisht duke kujtuar fëmijët e mitur që e presin në shtëpi Ajas Sulejmani u përpoq të fitojë mëshirën e gjykatës.
Por gjykata e la nën arrest me burg mbase duke mbajtur parasysh jo vetëm akuzat e prokurorisë për aksidentin automobilistik, por edhe rrezikimin e një foshnjeje tre muajshe që ishte nxjerre xhiro nga prindërit, të plagosur rëndë prej Sulejmanit mbi vijat e bardha.
Kërkesa e 37-vjecarit u bë përmes avokatit të tij që kërkoi arrest shtëpiak pasi ka tre fëmijë, njëri prej të cilëve u përdor si argument për të justifikuar arratisjen nga vendi i aksidentit, duke qenë se sipas Sulejmanit e bija ishte traumatizuar nga ngjarja dhe iu desh ta dërgonte në spital .
Prokurorja e çështjes deklaroi se Ajas Sulejmani shkeli rregullat e qarkullimit duke plagosur çiftin Konomi dhe rrezikuar fëmijën e tyre, drejtoi mjetin në gjendje të droguar si dhe u largua nga vendi i aksidentit.
Nga ana e tij i dyshuari kërkon përgjigjje të ekspertizës autoteknike sepse pretendon se po udhëtonte me 40 kilometra në orë dhe nuk i komandoi dot frenat.
Top Channel