Kjo është Zona e Plazhit në Durrës, një prej pikave me pasojat më të rënda nga tërmeti ku shumë godina u rrafshuan nga themelet.
Në këtë zonë është shfaqur fenomeni gjeologjik i lëngëzimit që në fillim u mendua se nuk ishte shfaqur në zonën e bregdetit të Durrësit. Fjala është për një efekt domino tepër të rrezikshëm.
Pas tërmetit tragjik u konfirmua nga një studim i disa sizmiologëve grekë, i publikuar në revista ndërkombëtare. Ky fenomen shkaktoi pikërisht shkatërrimet e mëdha në zonën e Plazhit.
“E kuptojmë nga sjellja që kanë godinat. Kur humb aftësia mbajtëse e truallit të godinës dhe ka një sjellje të lëngët. Terreni nuk është i aftë ta mbajë dhe godina anohet ose zhytet. Është një problem i artikuluar. Problem në projëktim dhe zbatim. Ka ndërtime që nuk kanë pasur projekte fare ose kanë ndërhyrë në strukturë. Ka disa faktorë gjeologjik, strukturë. Diku zhytje dhe kolaps.
Këtu ka një problem madhor. Studimet gjeologjike duheshin bërë para tërmetit, pas tërmetit dhe të vazhdojnë. Por duhen bërë sipas kritereve të veprës që do të ndërtohet është nkë katëshe, 6 apo 30 katëshe” u shpreh Klodian Skrame, Universiteti Politeknik i Tiranës
Disa ekspertë vlerësojnë se ka vende në të cilat mund të ndërtohet dhe të tjera në të cilat nuk mund të ndërtohet si pasojë e truallit të dobët dhe sizmiologjisë së lartë. Kurse përvoja botërore tregon që mund të ndërtohet në çdo lloj terreni. Por, duhet të merren masat në varësi të truallit dhe lëkundjeve sizmike.
“Duhet të merren masa të nevojshme dhe kjo do të thotë që në një vend kushton më shumë të ndërtosh se në vend tjetër.Ka një problem, që para 90 ka ndërtuar vetëm shteti, pas 90 kanë ndërtuar të gjithë. Individë privat të cilët u zhvendosën nga vendbanimet e tyre në qytete më të mëdha, pa marrë leje për pronësinë e tokës nuk bën as studimin. E ndërton siç di vetë.
Mund të thuhet që pjesa më e madhe që nuk janë ndërtuat me ekspertizë janë njerëz të zakonshëm jo profesionistë inxhinierë duke mos i përjashtuar edhe këta të fundit. Kjo u vu re në tërmetin e 2019” u shpreh gjeologu, Sokol Marku
Top Channel