Ndërtimet në vendin tonë ndahen në disa periudha duke marrë parasysh ngjarjet sizmike: Periudha e parë është deri në vitet 50. Asokohe nuk kishte norma teknike që llogarisnin sigurinë nga lëkundjet.
Tërmeti shihej si një ngarkesë statike dhe merrej në një propocion të caktuar. Pra, ndërtimet që janë bërë para këtij viti janë bërë pa norma sizmike.
Në vitin 1954 u miratuan normat e para teknike të cilat parashikonin llogaritjen kah tërmetit. Në atë kohë u miratua harta e rrezikut sizmik. Ajo bazohej ne atë nivel njohjeje të forcave sizmike që kishte e gjithë bota në atë kohë me koeficentë shumë të ulët.
Per shembull në Tiranë ishte 0,05. Një koefiçient që sot duket jashtëzakonisht shumë i ulët dhe i papranueshëm. Tërmeti i 15 prillit 1978, me epiqendër në Ulqin shkaktoi dëme të rënda në Shkodër dhe Lezhë. Shteti vendosi të ndryshojë normën e projektimit sizmik dhe krijoi hartën e re të rrezikut sizmik e cila kulmoi në 1989 me miratimin e kushtit të ri teknik antisizmik shqiptar. Në thelb ajo që ndryshoi për mirë ishte rritja e forcës sizmike krahasuar me kushtin e mëparshëm. U dyfishua forca sizmike duke u rritur siguria e veprave. Shteti mori më tepër risk për të përballuar forca më të mëdha në një strukture inxhinierike.
“Ato të fundit nuk kanë qenë përditësim tërësor i kushteve teknike të projektimit apo zbatimit. Por nuk kemi qenë pas vendeve në përditësimin e normave bazuar në ngjarjet sizmike dhe zhvillimet e kohës. Duke kaluar në vitet ‘90 në pikpamje të sigurisë pak ka ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar është tipologjia ndërtimore. Pas ‘90 hyri në masë ndërtimi i objekteve me beton arme dhe nga ana tjetër u liberalizua edhe tregu” u shpreh Markel Baballëku, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
“Përsa i përket sigurisë së ndërtimeve nuk është bërë shumë. Inxhinierët kanë marrë masa personale se sa kanë qenë të detyruar me ligj pasi kodet janë të vitit 1989. Ka patur tentativa nga profesorë të ndryshëm për të implementuar eurokodet, por nuk e di pse kanë dështuar. Siguria e objekteve garantohet prej rrafshit të përgjegjësisë personale të inxhinierëve dhe ndërtuesëve” u shpreh Arnel Çela, arkitekt
Aktualisht eurokodet nuk janë të miratuara zyrtarisht në Shqipëri e për rrjedhojë nuk janë të detyruara të përdoren. Nëse ato do të përdoreshin do të rrisnin ndjeshëm nivelin e sigurisë te objektet inxhinierike. Por, kjo do të thotë se edhe kostot e objekteve dhe çmimet në treg do të rriteshin.
“Pas viteve 90 duke qenë se jemi vend që aspiron për të hyrë në BE një pjesë e projektuesëve, por jo shtetit kërkuan të fusnin normat e reja të projektimit. “Edhe shoqata e ndërtuesëve ka qenë një nga ata që kërkuan të futeshin në Shqipëri normat europiane, eurokodet. Të cilët janë kode të unifikuara europiane që bëjnë për të llogaritur strukturat, janë më të mira dhe japin një nivel sigurie më të lartë. Deri në 2000 është punuar me normat tona, por pati një risi që për të gjitha ndërtimet u fut studimi sizmik i truallit sepse më përpara shfrytëzohej vetëm harta. Pas vitit 2000 si rezultat i njohjes më të madhe dhe i hapjes së Shqipërisë, pjesa e projektuesëve seriozë adaptuan normat e eurokodit” u shpreh Arben Dervishaj, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë.
 
Top Channel