Historia e ka treguar se shqiptarët e kanë kujtesën shumë të shkurtër dhe gabojnë në kurriz të vetvetes. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 pati pasoja të rënda edhe psikologjike.
Për objektet e shkatërruara nisën hetimet nga prokuroritë e disa rrretheve të prekura nga fatkeqësia. E vetmja dosje e finalizuar dhe e dërguar në gjykatë ishte ajo e prokurorisë së Durrësit me 16 të pandehur nga biznesi, ALUIZNI apo zyra urbanistike vendore. Dosja u zbeh shumë shpejt dhe akuzat u zbutën për të gjithë të pandehurit.
Qeveria do të reagonte asokohe me disa vendime në fushën e ndërtimeve. U duk sikur nisi ndërgjegjësimi si në aspektin legjislativ dhe ne atë zbatues të ndërtimeve të reja apo në procesin e rindërtimit.
“Nëse do merrja periudhën pas tërmetit pati një interesim edhe të investitorëve, banorëve, etj për të bërë përforcimet, rivlerësimet e objekteve. Thonin që na e projekti me 10% më shumë, rrite forcën sizmike. Kjo nuk vazhdoi gjatë. Ajo që vëmë re ne si projektues në disa raste janë bërë edhe gabime. Nuk kanë kaluar objektet në një analizë të saktë për të vlerësuar shkaqet që çuan në dëmtime, pastaj të bëhet projektimi i saktë” u shpreh Arben Dervishaj, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë
Qeveria përmes një vendimi në janar të vitit 2020 do të vendoste një procedurë për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti sipas eurokodit. Pra, këto protokolle evropiane do të ndiqeshin edhe për riparimet apo do të bëheshin ndërhyrje riaftësuese ku shihej e nevojshme.
Sipas VKM-së Fushat për të cilat kërkohet vlerësimi i rrezikut që kërcënojnë veprën inxhinierike janë:
1. Rreziku sizmik;
2. Rreziku gjeologjik;
3. Rreziku nga zjarri;
4. Rreziku hidrologjik dhe i përmbytjes;
5. Rreziku nga rrezatimi.
Subjektet ndërtuese duhet që fillimisht të pajisen me një vërtetim për riskun nga organi kompetent që lëshon lejen, për të cilën këto subjekte paraqesin kërkesë. VKM në fjalë parashikon edhe rrezikun nga lëngëzimi të depozitimeve ku mbështeten objektet inxhinierike.
Studimet për vlerësimin e rrezikut nga lëngëzimi detyrohen të jenë pjesë integrale e studimit gjeologjik dhe do të kryhen duke u bazuar në disa kritere teknike specifike si: Numri i shpimeve, shpërndarja dhe thellësia e tyre të bëhet në përputhje me standardet e fazave të projektimit; Thellësia e studimit duhet të kryhet deri në 22 m në rastin kur depozitimet e pakonsoliduara kanë trashësi më të mëdha se 22 m dhe, në rastin kur trashësia e tyre është më e vogël se 22 m, studimi duhet të kryhet deri në shkëmbinj rrënjësorë.
Duhet të respektohen standardet në lidhje me provë marrjen, sasinë dhe vendin e marrjes së tyre, kryerjen e testeve fushore, parametrat sizmikë për madhësinë e nxitimit të lëkundjes së truallit, si dhe parametrat fiziko-mekanikë të nevojshëm për vlerësimin gjeoteknik të sheshit të ndërtimit në lidhje me lëngëzimin; Studimet për vlerësimin e mundësisë së ndodhjes të fenomenit të lëngëzimit duhet të kryhen nga ekspertë gjeologo-inxhinierikë, gjeoteknikë dhe sizmologë të certifikuar, të cilët kanë mbaruar studimet e larta në nivelin “Master shkencor” ose doktoraturë në fushën e gjeologjisë inxhinierike, gjeoteknike dhe sizmologjisë. Ekspertët duhet të kenë mbi 10 vjet eksperiencë në të tilla studime; Testet për parametrat fiziko-mekanikë të dherave duhet të bëhen në laboratorë të certifikuar. Studime për vlerësimin e mundësisë së ndodhjes të fenomenit të lëngëzimit duhet t’u nënshtrohen oponencave të kryera nga ekspertë të certifikuar.
Por, ekspertët gjykojnë se kjo VKM nuk është zbatuar dhe ka mbetur vetëm në letër. Nga ana tjetër nuk ekziston materiali i plotë për të qenë i zbatueshëm. Njëkohësisht mungojnë aparaturat dhe laboratorët.
“Ne jemi pjesërisht të papërgatitur në kapacitete për ta bërë plotësisht të zbatueshëm për sasinë e veprave që ato janë. Do isha i lumtur që të paktën 5% e veprave kritike të jenë projektuar me eurokode. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse nuk janë ende në fuqi. Të investosh në parandalim është disa fish më mirë se sa të kurosh më pas. Ajo që vë re me keqardhje ne patëm një solidarizim 1,2,3 mujor dhe kaq pas tërmetit” u shpreh Markel Baballëku, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë
Çështja e mungesës së sigurisë në ndërtime tregon për mungesë reflektimi të qëndrueshëm afatgjatë. Këtë e pasqyron fare mirë dhe mungesa e vullnetit të qeverisë për të bërë një vlerësim. Një raport me konkluzione të qarta profesionale për sa i përket tërmetit të 26 nëntorit të 2019 për të ndarë përgjegjësitë.
“Pas 2019 në aspektin legjislativ kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Ka ndryshuar një element, por që unë nuk jam dakord me këtë qasje. Është futur vetëdeklarimi dhe sigurimi i deryrueshëm i objektit të ri. Vetëdeklarimi i përgjegjësisë së profesionistëve që marrin pjesë në vepër që nëse ndodh gjë me objektin, përgjegjësia është e tyre. Idea nuk është që të gjejmë një fajtor kur të ndodhë tragjedia, por të përdorim mekanizma që të parandalojmë që të mos nodh tragjedia. Edhe sigurimi i objekteve është i domosdoshëm, Duhej të vendoseshin me detyrim eurokodet, kontroll të punimeve nga instanca shtetërore. Dhe në ndërkohë që flasim, të gjithë e dimë që vazhdojnë ndërtimet pa leje” u shpreh arkitekti, Arnel Çela
Top Channel