Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” me Sokol Ballën u ndal në pikat më të rëndësishme të rrugëtimit të tij politik që prej  2017-ës kur mori postin e kreut të shtetit e deri në ditët e sotme.

Ai tregoi se në fillimet e tij shqetësimi më i madh ishte të realizonte futjen e opozitës sërish në zgjedhje.

Gjatë intervistës, Meta u shpreh se gjatë këtyre pesë viteve është ndjerë vetëm si presidenti tradhtuar dhe i minuar nga miqtë dhe armiqtë për çdo lloj arsyeje, duke e konsideruar një rrugëtim të vështirë.

 “Shqetësimi im nuk ishte se si u zgjodha por qëllimi ishte si do të bëja të pamundurën se si opozita të hynte në zgjedhje e të dilte nga çadra sepse ishte një përpjekje e kryeministrit dhe disa ndërkombëtarëve për ta lënë PD-në në çadër. Loja ishte e qartë dhe unë ndihëm sikur mezi po pres të dal nga një ëndërr. E kam me shumë qetësi, kjo periudhë e presidencës ka tre faza që të jemi objektiv. Është faza e parë ku Rama thoshte se ky është presidenti më i mirë ishte një presidencë normale derisa opozita dogji mandatet. Besoj të gjithë e kanë të qartë filmin në fund të fundit konkluzioni është i qartë i prerë, Ilir meta gjatë këtyre pesë viteve e sidomos nga 17 shkurti e deri tani kur opozita është e paralizuar, kam qenë i vetëm si president i tradhtuar, i minuar nga miqtë dhe armiqtë për çdo lloj arsyeje. Si mund të jetë normale kur një president ngelet i vetëm në një parlament një partiak”, tha Meta.

Nuk kishte si të mos mungonte në intervistë tubimi i famshëm i 2 marsit, të cilin Meta e komentoi si nevojë të kapjes së shtetit e cila po përpiqej të uzurponte Gjykatën Kushtetuese.

“2 Marsi nuk ishte një tubim për arsye që Ilir Meta të tregonte se e donte populli. 2 Marsi erdhi si nevojë e kapjes së shtetit, sepse Parlamenti po nxirrte akte pikërisht për të uzurpuar Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ishte vija e kuqe sepse ky institucion është vetë sovraniteti i Shqipërisë. Nëse unë nuk jam i sigurt që masa të tilla të merren atëherë unë nuk kam çfarë të bëj të shkoj para me përfaqësimin e 2 marsit. Unë e mora një përgjigje, por tre javë para 2 marsit. Kur u pa që ishte gjithë ai popull, nuk ishte popull opozitar, por ishin persona të pakënaqur. Presidenti bëri çdo përpjekje për mos e bërë 2 marsin”, u shpreh Meta.

Kreu i shtetit tha se ka bërë çdo përpjekje për të shpëtuar paqen sociale dhe pluralizmin politik në vend gjatë mandatit të tij pesë- vjeçar si president. Ai u shpreh se ka tentuar disa herë që të ketë një dialog e me Ramën por pa rezultat pasi sipas tij Rama nuk kishte interes.

“Unë mora një përgjegjësi të madhe në emër të paqes sociale dhe integrimit evropian të Shqipërisë, kam këmbëngulur për një dialog por Rama nuk kishte asnjë interes, edhe Basha ishte në një linjë me Ramën. Të gjitha partitë u regjistruan ndërsa Basha nuk u regjistrua në zgjedhjet e tetorit. Ky është një film me të gjitha etapat e qarta. Isha një president i cili do të merrte disa përgjegjësi për të shpëtuar paqen dhe për të bërë çdo gjë që të mos cënohej pluralizmi politik në Shqipëri.”

Presidenti Ilir Meta gjatë intervistës përballë gazetarit Sokol Balla foli edhe për situatën e nxehtë gjatë fushatës së zgjehdjeve të 25 prillit, ku tha se  25 prilli do të ishte më e rëndë se sa ngjarja e Elbasanit ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani, nëse s’do të ndërhynte ai.

 “Nuk e di se çfarë është LSI sot dhe nuk është detyra ime ta them këtë. 25 prilli do te ishte shumë më rëndë se ngjarja tragjike e Elbasanit, në të gjithë Shqipërinë, në rast se nuk do të ndërhynte Presidenti. Bashkia pa asnjë akt administratiov pa asnjë shkresë prej orësh kishte bllokuar ujin, energjinë. Nuk mund të shkaktohet dhunë, presidenti në një situatë të tillë nuk mund të jetë pëllumbi i paqes,  po të ishte qëndruar mirë në Kavajë nuk do të kishte ndodhur ngjarja e Elbasanit. Ishte programuar një dhunë sistematike ndaj opozitës. Kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk u kam dalë në mbrojtje akteve të opozitës”, tha Meta.

Meta gjithashtu deklaroi në “Top Story” se çështja më e rëndë edhe sot e kësaj dite është që Kuvendi falsifikoi dokumentin për të implikuar presidentin ndërsa opozita ende nuk ka kërkuar një komision hetimor për këtë çështje.

“E vetmja ëndërr e mazhorancës ishte marrja e Presidencës para 24 korrikut, e cila u pre në mes. U tentua shkarkimi i Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, me dokumente të falsifikuara me firmën e ish-kreut të Kuvendit. Çështja është më e rëndë edhe sot e kësaj dite në seancën e fundit Kuvendi falcifikoi dokumentin për të implikuar presidentin dhe kjo ndodh në të parin proces nga kuvendi i Shqipërisë dhe opozita ende nuk ka kërkuar një komision hetimor në parlament, nga prokuroria ka vetëm heshtje. E votova reformën në drejtësi dhe i qëndroj por jo Ramaformës”, tha Meta.

President i komentoi prefekte marrëdhëniet e tij meShtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Raportin tim nuk e kam me ndërkombëtarët,por vetëm me shqiptaret. Dhe këtë raport me shqiptarët do ta kem në mënyrë të hekurt në të ardhmen. Nuk jam ankuar asnjëherë se dikush kërkon të sabotojë raportin tim me ndërkombëtarët. Problemi është se ata përmes manipulimeve janë përpjekur të sabotojnë reputacionin e ndërkombëtarëve, nuk ka politikan më korrekt në Shqipëri se sa Ilir Meta. Kemi një raport me SHBA, sidomos me kushtetutën e SHBA, që e kam frymëzim. Mund të siguroj çdo qytetar të Shqipërisë dhe SHBA-së se marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA janë perfekte. Se si kanë vendosur se si kanë gjykuar çështje e tyre. Nuk kam asnjë ankesë veç se nga Taulant Balla, për sjellje të papërshtatshme. Unë kam gjithmonë letra që më vijnë për njëanshmërinë e Taulant Ballës ,por ne vijojmë prapë të punojmë. Bashkëpunimi im është i hapur brenda disa parimesh të shenjta”, tha Meta.

Meta, i cili është në dy mujorin e fundit të mandatit të tij si president, u shpreh në fund të intervistës se është shpejt për të bërë një vlerësim të tijin për ‘performancën’ në atë post por beson se e ka mbajtur nën kontroll provokimin dhe tensionin që ka pasur.

Meta u shpreh i rezervuar në lidhje me presidentin e ardhshëm, por tha se ajo çfarë është e sigurt, do të jetë që presidenti që vjen do ta ketë të vështirë që të jetë i pavarur, pasi sipas tij të dyja skuadrat janë një tashmë dhe presidenti e ka të vështirë të jetë arbitër në një situatë të tillë.

Ai bëri një premtim mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, ku tha se me 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel.

Presidenti i ardhshëm do ta ketë të vështirë sepse është shumë e vështirë të jetë i pavarur. Kjo është e qartë, duhet të keni parasysh se janë disa çështje të nxehta kushdo që të vijë duhet të mbajë një qëndrim në përputhje me kushtetutën ose do të lejojë të cënohen disa nga këto element. Kjo nuk do të jetë e thjeshtë por ai do ta ketë shumë të lehtë. Si mund të jesh arbitër i një ndeshjeje ku të dyja skuadrat janë nji. PD kurrë nuk do të kishte djegur mandatet.

Jap një premtim solemn para të gjithë shqiptarëve, si ish-student i dhjetorit ’90, për të gjithë ata që donin të asgjësonin pluralizmin, se me 25 korrik fillon ekzekutimi i frikës dhe nis rikthimi i transparencës dhe llogaridhënies në çdo nivel. Nis një luftë e pa kompromis kundër mafies lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, mbylli fjalën Meta.

Kujtojmë se Ilir Meta u zgjodh President në vitin 2017, i shtati i Republikës së Shqipërisë, me 87 vota pro dhe dy kundër.

Partia Socialiste ka kryer proceduat dy herë brenda dy viteve për shkarkimin e presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ilir Meta paralajmëroi se do të jepte dorëheqjen nga posti nëse PS merrte 71 mandate, por nuk e bëri një gjë të tillë edhe pse socialistët arritën të siguronin 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

Vendi ynë po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në korrik, ndërsa maxhoranca dhe opozita janë në negociata për emrat që do të kandidojnë për kreun e ri të shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA