Presidenti Ilir Meta tha këtë të martë në Top Story se marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë perfekte.

“Raportin tim nuk e kam me ndërkombëtarët,por vetëm me shqiptaret. Dhe këtë raport me shqiptarët do ta kem në mënyrë të hekurt në të ardhmen. Nuk jam ankuar asnjëherë se dikush kërkon të sabotojë raportin tim me ndërkombëtarët. Problemi është se ata përmes manipulimeve janë përpjekur të sabotojnë reputacionin e ndërkombëtarëve, nuk ka politikan më korrekt në Shqipëri se sa Ilir Meta. Kemi një raport me SHBA, sidomos me kushtetutën e SHBA, që e kam frymëzim. Mund të siguroj çdo qytetar të Shqipërisë dhe SHBA-së se marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA janë perfekte. Se si kanë vendosur se si kanë gjykuar çështje e tyre. Nuk kam asnjë ankesë veç se nga Taulant Balla, për sjellje të papërshtatshme. Unë kam gjithmonë letra që më vijnë për njëanshmërinë e Taulant Ballës ,por ne vijojmë prapë të punojmë. Bashkëpunimi im është i hapur brenda disa parimesh të shenjta”, tha Meta.

Kujtojmë se Ilir Meta u zgjodh President në vitin 2017, i shtati i Republikës së Shqipërisë, me 87 vota pro dhe dy kundër. Partia Socialiste ka kryer proceduat dy herë brenda dy viteve për shkarkimin e presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ilir Meta paralajmëroi se do të jepte dorëheqjen nga posti nëse PS merrte 71 mandate, por nuk e bëri një gjë të tillë edhe pse socialistët arritën të siguronin 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

Vendi ynë po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në korrik, ndërsa maxhoranca dhe opozita janë në negociata për emrat që do të kandidojnë për kreun e ri të shtetit.

Top Channel