Në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, të martën më 10 maj, kanë nisur gërmimet për dyshimet për një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, përmes një njoftimi ka konfirmuar nisjen e gërmimeve duke thënë se urdhri për nisje të këtij procesi është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi.
“Kërkimi i terrenit është i nevojshëm për të përcaktuar saktë nëse ka mbetje të personave të shpallur si të zhdukur, gjë që u dërgon një mesazh të qartë familjeve të tyre se autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë kanë vendosur të kontrollojnë të gjitha informacionet për të gjetur të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë.
Deri tek vendimi për gërmime në këtë lokacion erdhi pasi Komisioni i Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ofroi informacione për dyshime për varrezë masive.
Autoritet serbe thanë se kërkimi i terrenit do të zgjasë deri në përcaktimin dhe sqarimin e fakteve që janë të nevojshme për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të një varri të mundshëm masiv.
Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviq, kishte paralajmëruar zhvillimin e gërmimeve në këtë lokacion më 27 prill të këtij viti.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, kishte akuzuar palën serbe se nuk ofron informacione për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Do të duhej të ishte [çështje] humanitare, por unë nuk e di që është trajtuar si humanitare ndonjëherë. Kaq pak ka dhënë informacione Serbia për Kizhevakun dhe Rudnicën… Dhjetë vjet kanë kaluar ekipet tona, në të dyja lokacionet në Serbi, për shkak se Serbia bën lojëra me dhënien e informacioneve të sakta se ku janë varrezat masive, derisa na kanë ardhur imazhet satelitore prej vendeve mike të Kosovës, që të mund t’i gjejmë”, thotë Hoti, pa specifikuar se për cilat vende e ka fjalën.
Hoti kishte thënë se Serbia ende vazhdon “lojën” duke mos dhënë informacione.
Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë.
Ky fakt ishte forcuar edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ky ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjeten trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 98-99.
Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth njëmijë kosovarëve të vrarë.
Rreth 1,600 persona të tjerë ende mbesin të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar./REL
Top Channel