“Nuk kam lidhje me trafikun dhe më kanë përzier kot në këtë histori”, kështu e nisi deklaratën e tij ish-truproja e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, Hekuran Marku.

Sipas burimeve të Anila Hoxhës, gjatë masës së sigurisë ndaj Hekuran Makut që ishte arrestuar në Gjermani dhe iu dorëzua Shqipërisë ai ka shtuar: “Dy personat që përmenden si të penduar i kam njohur përmes Eltion Bregasit gjatë fushatës elektorale. Por ata më kanë ngatërruar kot në këto akuza”.

Këtë të diel, Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Hekuran Markun, njërin nga ish-truprojën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Marku u ekstradua nga Gjermania, pasi dy emrat e ish-truprojave të Tahirit dolën në përgjimet e një grupi kriminal të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Truproja tjetër, Agustin Deda, ndodhet ende në Francë.

Megaoperacioni “Shpirti”

Emrat e Hekuran Markut dhe Agustin Dedës dolën në përgjimet e një mega operacioni të trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, i koduar “Shpirti” që u zhvillua në muajin korrik mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane.

Agustin Deda dhe Hekuran Marku në kohën e kryerjes së veprave penale në vitin 2016  ishin me detyrën e pjestarëve të grupit të shoqërimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por ata nuk janë më pjesë e radhëve të policisë pasi në vitin 2017 e kanë lënë detyrën.

Nga operacioni rezultoi se Agustin Deda dhe Hekuran Marku në bashkëpunim me katër shtetas italianë dhe një shtetas shqiptar të quajtur Eltjon Bregu trafikuan në rrugë detare nga Shqipëria drejt Italisë ngarkesën 1016 kilogramë kanabis, e cila i është sekuestruar shtetasve Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini që janë arrestuar në kuadër të procedimit 16654 të prokurorisë së Barit.

Në vendimin e  datës 4 korrik 2021 Gjykata Kundër Korruposionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën arrest me burg për Hekuran Markun dhe Agustin Dedën.

Ky operacion ndërkombëtar antidrogë, i realizuar njëkohësisht në 4 shtete, u finalizua me 28 të arrestuar, mes të cilëve një prokuror, një drejtor dhe tre zyrtarë të lartë të Policisë shqiptare.

Arrestimet janë bërë në Shqipëri, Itali, Mali i Zi dhe Spanjë. Hetimet për këtë operacion janë bërë nga muaji Maj 2019 deri në Janar 2021, që kanë bërë të mundur të mblidhen të dhëna të rëndësishme ndaj 38 shtetasve shqiptarë.

Top Channel