Periudha e pranverës pëlqehet më së shumti nga turistët e huaj për të vizituar vendin tonë dhe për të mësuar për historinë e saj.

Teksa i hasim në rrugët e Tiranës, na tregojnë për eksperiencën dhe përshtypjet që ju ka lënë Shqipëria.

“Është shumë mirë këtu, do qëndrojmë për dy javë. Kemi vizituar disa qytete të Shqipërisë deri tani, shumë vend i bukur. Na pëlqen të vizitojmë shtete të ndryshme dhe nuk kishim qenë asnjëherë në Shqipëri dhe kemi dëgjuar histori të bukura për vendin tuaj. Jemi nga Holanda. Eksperiencë shumë e mire. E nisëm vizitën tonë nga Berati, me pas shkuam ne Dhërmi, Ksamil, bëmë dhe hiking në Valbonë dhe tani jemi këtu në Tiranë”, tha turisti.

“Keni plazhe shumë të bukura dhe njerëz shumë të mirë dhe miqësorë”, tha një turist tjetër.

“Kjo është hera e parë dhe për mua në Shqipëri, është shumë bukur. Hiking ishte pjesa që na pëlqeu më shumë”, tha turisti.

Ndonëse ka një shtim të rezervimeve krahasuar me vitin e kaluar për turizmin kulturor, ndikimi që pati lufta në Ukrainë, ka sjellë një numër të lartë të anulimeve.

“Rezervimet kanë filluar, normalisht fillonin në muajin mars, në muajin maj tani duhet të ishim në kulmin e sezonit. Ka një shtim krahasuar me vitin e kaluar por përsëri ka goxha anulime për prillin dhe marsin. Mbi 50% e tureve kulturore janë anuluar për arsye të ndryshme, natyrisht dhe lufta pati ndikimin psikologjik por po vazhdon. Për momentin stepja më e madhe është prej luftës por ka dhe ndikime të tjera, për shembull rritja e çmimeve ka goxha ndikim”, tha operatori turistik Xhimi Lama.

Turistët anglez dhe izraelit janë ata që preferojmë më shumë turet kulturore por këtë vit tregu po ndjen mungesën e ukrainasve.

“Fillojnë me Tiranën, pastaj Kruja shumë e vizituar, Durrësi, Berati Apolonia, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër. Më tepër punojmë me tregun anglez dhe izraelit. Tregu ukrainas në vitin 2021 shpëtoi turizmin ne Shqipëri, ishin mbi 110 mijë turistë që erdhën vitin e kaluar, por më shumë për turizmin e plazhit dhe jo atë kulturor”, tha Lama.

Me ardhjen e verës pritet të shtohet numri i turistëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet.

Top Channel