Moska nxjerr në rrugë raketat termonukleare: Paralajmërim për Perëndimin nga Sheshi i Kuq

07/05/2022 15:19

Raketat termo-nukleare u nxorën në rrugët e Moskës si një paralajmërim rrëqethës për Perëndimin, ndërsa diktatori Vladimir Putin përgatitet për paradën e përvitshme madhështore të Ditës së Fitores se vendit të tij mbi nazizmin në 9 maj.

Shpresat e shefit te Kremlinit ishin që të festonte një triumf në Ukrainë në këtë ditë, por deri tani, ushtria ruse, as dy muaj pas fillimit të agresionit, nuk ka arritur të marrë nën kontroll ndonjë qytet të rëndësishëm të vendit fqinj, edhe pse e ka shtrënguar egërsisht darën e saj sidomos mbi Mariupolin.

Raketa balistike termonukleare RS-24 Yars për të cilat ekspertët besojnë se mund të mbajë deri në 10 koka raketore parakaluan mes rreshtave të rojeve të armatosura gjatë provave të paradës, të organizuara në Sheshin e Kuq.

Pushtimi rus në Ukrainë nënkupton se më pak tanke ruse dhe pajisje tjera ushtarake do të shihen në qendër të kryeqytetit rus këtë 9 maj.

Kremlini nuk u referohet luftimeve në Ukrainë si “luftë”, por vendimin e Putinit e përshkruan vetëm si  “operacion special ushtarak”.

Disa besojnë se presidenti rus mund ta shfrytëzojë këtë ditë për të shpallur operacionin si luftë, në mënyrë që të rrisë përkushtimin kombëtar të Rusisë. Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, të cilën e ka quajtur Luftë të Madhe Patriotike.

Dita e Fitores konsiderohet një event i rrallë në mesin e ndasive të thella kombëtare, e  admirohet nga të gjithë lojtarët politikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA