Urdhri i Vladimir Putinit për të goditur Ukrainën apo Perëndimin me armë bërthamore do të injorohej nga krerët e tij ushtarakë, thonë media të huaja, sipas të cilave shumë zyrtarë vendas, të ushtrisë e sigurisë por edhe oligarkë, mendojnë se shefi i Kremlinit ose është duke vdekur, ose është i sëmurë rëndë.
Christo Grozev, ekspert për çështjet ruse i lidhur me grupin kërkimor “Bellingcat”, shprehet se duke besuar që udhëheqësi rus mund të jetë në fundin e jetës, rrethi i tij i brendshëm nuk do të rrezikonte të gjendej përballë një ekuivalenti modern të gjyqeve të Nurembergut, e as nuk do t’i bindej urdhrave të tij për të asgjësuar armiqtë e opozitës.
Putin i vendosi forcat bërthamore të Moskës në gatishmëri të lartë menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në 24 shkurt, duke shtuar frikën se mund “ta shtypë butonin e kuq”, nëse lufta nuk shkonte sipas planit të tij.
Nisur nga dora që shtrëngonte mes spazmash pas tryezës në takimin me ministrin e mbrojtjes, Sergei Shoigu, Grozev pretendon se shëndeti i Putinit është në rënie, dhe një oligark i afërt me të është shprehur se “më mirë të vdesë nga sëmundja e vet e rëndë”, sesa të vazhdojë të “shkatërrojë” Ukrainën, Rusinë dhe elitën e pasur të biznesit në Moskë.
Top Channel