Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela merr pjesë në Konferencën Evropiane të Prokurorëve në Palermo

05/05/2022 13:26

Prokurori i Përgjithshëm po merr pjesë në Konferencën Evropiane të Prokurorëve që po zhvillohet në Palermo në datat 5-6 maj. Ky takim është organizuar në kuadrin e presidencës italiane të Këshillit të Evropës dhe është fokusuar në çështje që lidhen me pavarësinë, autonominë dhe llogaridhënien e prokurorëve.

Pjesë e diskutimeve në këtë Konferencë janë çështje të zhvillimit të standarteve dhe udhëzimeve lidhur me karrierën e prokurorëve dhe ushtrimin efektiv të profesionit të prokurorit si dhe rritjes së bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të ndryshme lidhur me promovimin e standardeve Evropiane të shtetit ligjor.

Përgjatë aktivitetit do të trajtohen gjithashtu çështje që lidhen me sigurimin e një roli efektiv të prokurorisë në lidhje me krimet ambjentale si dhe sfidat që paraqesin krimet financiare në realitetin virtual, edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale.

Konferenca u hap nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Italisë Z. Giovanni Salvi dhe u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Znj. Marija Pejcinovic Buric. Sesioni përfundimtar i saj do të zhvillohet në memorialin e Giovanni Falcones dhe Paolo Borselinos dhe do të përshëndetet nga Presidenti i Republikës së Italisë SH.T Sergio Mattarella.

Top Channel