Një orë e shtrenjtë e markës Rolex është sekuestruar prej autoriteteve greke në Athinë.
Do të ishte një ngjarje normale në regjistrat e policisë helene, fakti që një orë e shtrenjtë luksoze Rolex me vlerë 85.000 euro iu sekuestrua një shtetaseje shqiptare në një prej dyqaneve të luksit në kryeqytetin e vendit Athinë.
Por veç dyshimeve për mënyrën sesi një orë kaq e shtrenjtë ra në duart e një shtetaseje shqiptare më të ardhura të ulëta gjë që nuk e justifikon kurrsesi blerjen e Rolexit të artë,tashmë blutë e Athinës duket se kanë në duart e tyre,zbardhjen e një prej grabitjeve më spektakolare të ndodhura vitet e fundit.
Policia greke u njoftua pak ditë më parë se në zyrat e përfaqësisë së markës luksoze të orave kishte mbërritur nga Shqipëria për servis një orë e artë me vlerë 85.000 euro.
Menjëherë një oficer i departamentit të krimit ekonomik në policinë helene,nisi të kryente hetime lidhur me shtetasen që e dorëzoi orën në fjalë për tu bërë servis.
Prej hetimeve rezultoi se personi që e posedonte atë,nuk e justifikonte blerjen e saj për shkak të të ardhurave që deklaronte,por veç kësaj rezultoi se sendi i shtrenjtë ishte i vjedhur,madje seriali rezultonte në listën e top grabitjeve të një prej bandave më famëkeqe të europës,”Panterat Rozë”
Ora në fjalë ishte pjesë e grabitje në një dyqan floriri në Kopenhagen të Danimarkës në vitin 2017.
Grabitja në fjalë ishte një ndër më spektakolare e organizatës famëkeqe,e cila ka në listën e saj grabitje në dhjetëra dyqane floriri dhe biznese luksi në disa vende të Europës.
Gjetja e Rolexit në Athinë,ka vërtetuar dyshimet se banda serbe “Panterat Rozë” i shesin sendet e grabitura në tregjet e Ballkanit, pikërisht për shkak se në këto vende mungojnë mekanizmat e hetimit dhe ndjekies së këtyre produkteve.
Policia greke thotë se tashmë ka një pistë në të cilën mund të hetojë zbardhjen e grabitjes së Kopenhagës,madje të zbardhë një seri grabitjesh të ngjashme në vendet europiane.
Ndërkohë që autoritet disponojnë të dhënat e shtetases shqiptare që dorëzoi orën për servis, por në këtë moment ajo rezulton se ndodhet në Shqipëri, ku ka edhe banesën e deklaruar pranë përfaqësisë së orave luksoze.
Të dhënat e të dyshuarës do ti dorëzohen gjatë ditëve të ardhëshme edhe policisë shqiptare,e cila do të duhet ta gjejë dhe të marrë në pyetje për rrethanat që kjo shtetase mundi të shtjerë në dorë një orë kaq të shtrenjtë.
Ora iu dorëzua autoriteteve daneze, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet lidhur me ngjarjen.
Top Channel