Derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana është një nga ndeshjet që gjithmonë zgjon interes të lartë, me tifozeritë e dy skuadrave që mbushin stadiumet në çdo përballje mes “bardhebluve” dhe “të kuqve”.
Dy ekipet kryeqytetase do të përballen më 7 maj në orën 19:45, për takimin e raundit të 33-të të Abissnet Superiore, me Tiranën që mund të shkojë në këtë supersfidë ai kampione e Shqipërisë, nëse nuk humbet këtë të mërkurë (sot) ndaj Teutës, teksa Partizani vijon ecurinë pozitive dhe sigurimin e Europës.
Ndërsa na ndajnë pak ditë nga kjo përballje tashmë është vendosur edhe ku do luhet. Derbi i kryeqytetit është zhvendosur për në “Elbasan Arena”, pasi UEFA ka refuzuar zhvillimin e saj në “Air Albania” për shkak të finales së Conference League, që do të luhet aty më 25 maj.
Ndërsa mundësia e luajtjes së derbit në “Selman Stërmasi” është përjashtuar nga Partizani, për shkak se nuk i pëlqen fusha. Ndaj tifozeritë e dy skuadrave të kryeqytetit do duhet të udhëtojnë për në Elbasan, për të ndjekur atë që cilësohet si ndeshja më e rëndësishme e Tiranës dhe Partizanit.
Top Channel