Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë ka caktuar 2 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, pavarësisht se politikanët e këtij vendi kanë dështuar që të pajtohen për reformën zgjedhore dhe për buxhetin e vitit 2022, që do të duhej ta financonte mbajtjen e zgjedhjeve.
Komisioni tha më 4 maj se gjashtë nga shtatë anëtarët e tij kanë votuar në favor të caktimit të 2 tetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Qytetarët do të votojnë për anëtarin boshnjak, atë serb dhe kroat të Presidencës trepalëshe, për deputetët e Parlamentit në Federatën Boshnjake-Kroate, për ata në entitetin e Republikës Sërpska, si dhe për liderët e dhjetë kantoneve.
Nacionalistët kroatë kanë kërkuar reforma në ligjin zgjedhor, me qëllim që të rrisin përfaqësimin e tyre, pasi për vite me radhë janë ankuar se ata nuk e kanë entitetin e tyre brenda shtetit.
Anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës është zgjedhur në dy palë zgjedhjet e kaluara në bazë të votave të shumicës boshnjake, pa mbështetjen e partisë më të madhe etnike kroate, Bashkimit Demokratik të Bosnjës, ose liderit të saj, Dragan Çoviç.
Boshnjakët u kanë rezituar thirrjeve për formimin e një qarku me shumicë kroate, duke shtyrë Çoviqin dhe partinë e tij që të ndërpresin bashkëpunimin me homologët e tyre boshnjakë në shumë forume.
Në muajt e fundit është rritur frika se Bosnja mund të shpërbëhet.
Ky shtet qeveriset në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, që i ka dhënë fund luftës në vitin 1995 dhe e ka ndarë Bosnjën në Federatën Boshnjake dhe Kroate dhe në entitetin me shumicë serbe, të njohur si Republika Sërpska.
Serbët e Bosnjës kanë kërcënuar me ndarje, ndërsa kroatët kanë thënë se do t’i bojkotojnë zgjedhjet nëse nuk realizohet reforma zgjedhore, e cila i adreson ankesat e tyre.
Top Channel