Forcat ruse bombarduan mbrëmjen e së hënës qytetin port të Odesës në Ukrainë, ku ka raporte për viktima, mes të cilave edhe një djalë 15 vjecar.
Një vajzë 17 vjece është në spital në gjendje të rëndë. Të dy ata dhe disa persona të tjerë ndoheshin në një godinë rezidenciale të dëmtuar nga sulmi me raketa. “Armiku ka goditur infrastrukturën urbane në Odesa, përfshirë dhe një objekt kulti. Për shkak të këtij sulmi, ka të vdekur e të plagosur”, thanë zyrtarë vendas.
Qe kur Rusia nisi luftën e paprovokuar më 24 shkurt, trupat e saj kanë dështuar të marrin kontrollin e ndonjë qyteti të madh ukrainas.Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Moska është duke planifikuar që të marrë edhe zyrtarisht kontrollin e rajoneve në lindje të Ukrainës.
Michael Carpenter, ambasadori amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), ka thënë se Rusia është duke synuar që të aneksojë territoret e Donjeckut dhe Luhanskut në rajonin Donbas përmes referendumeve, pasi nuk ka arritur të rrëzojë Qeverinë në Kiev.
Rusia është përballur me rezistencë të ashpër në rajonet rreth Kievit dhe Çernihivit, prandaj ka zhvendosur trupat në jug dhe lindje të shtetit, kur luftimet janë shtuar ditëve të fundit.Juglindja e Ukrainës është zonë strategjike për Rusinë, pasi mundëson lidhjen me Krimenë.
Moska ka rritur shqetësimet se mund të zgjerohet edhe më shumë, përkatësisht në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transdniestër, e cili përkrahet nga Rusia dhe vendet në kufi me Ukrainën. Moldavia ndan kufirin me Rumaninë, vend anëtar i NATO-s.
Top Channel