‘Rikthehet’ Bill Gates me të tjera lajme të këqija për pandeminë Covid (fotot)

03/05/2022 17:53

Sapo kishit nisur “të ndjeheshit mirë për rikthim në normalitet” pas dy viteve të fundit, Bill Gates vjen me lajme të reja për ju, shkruan e përditshmja britanike Metro.

Ish-njeriu më i pasur në botë i kthyer tashmë në ekspert të pandemive globale, thotë se Covid-19 nuk ka marrë fund, por përkundrazi “ende nuk kemi parë gjë akoma”.

Në një intervistë me Financial Times, Gates theksonte rrezikun e tmerrshëm nga variante të reja, dhe i ardhshmi sipas tij mund të jetë shumë i keq.

“Jemi në rrezik sepse pandemia mund të gjenerojë një variant që mund të jetë më i transmetueshëm e më fatal”, tha filantropisti.

Që kur është larguar nga industria e teknologjisë, Bill Gates është bërë ekspert sëmundjesh, duke punuar me vaksinat e duke studiuar polion e malarien me fondacionin ‘Bill and Melinda Gates’.

Ai madje ka shkruar një libër të titulluar Si të parandalojmë pandeminë e ardhshme.

Koalicioni i tij i epidemive CEPI është përgjegjës për shpërndarjen e vaksinave nëpër botë dhe ka financuar krijimin e injeksioneve AstraZeneca e Moderna.

Sipas Gates, planeti duhet të krijojë më shumë vaksina për të bllokuar infeksionin.

Dhe në fakt Gates e thotë këtë prej kohësh pasi që në vitin 2015, 64-vjeçari paralajmëronte se “katastrofa e ardhshme globale nuk do të shkaktohej nga lufta, por nga një virus”.

Asokohe ai ka thënë: “Nëse vjen diçka që vret më shumë se 10 milionë njerëz në vitet e ardhshme ka më shumë gjasa të jetë një virus sesa një luftë, pra jo raketa, por mikrobe”.

“Ne kemi investuar shumë në armët bërthamore si mjet presioni për të mos i përdorur, por nuk kemi investuar shumë në sistemin e mbrojtjes nga epidemia.

Edhe në vitin 2017 në një editorial për Business Insider, Gates përsëriti mesazhin e tij se një patogjen ajror mund të vrasë dhjetra miliona njerëz, në rastin më të keq.

“Nëse ndodh nga një kapriço e natyrës apo nga dora e një terroristi,  epidemiologët thonë se një patogjen i shpejtë ajror mund të vrasë më shumë se 30 milionë njerëz në më pak se një vit. Dhe ka shumë gjasa që bota të jetojë diçka të tillë në 10-15 vjetët e ardhshme”, shkruante Gates në 2017.

FOTO GALERI
2/3
Që kur është larguar nga industria e teknologjisë, Bill Gates është bërë ekspert sëmundjesh e vaksinash

Top Channel