Demokrati Fatbardh Kadilli i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Top Story” në Top Channel theksoi se PD ka nevojë të kapë trenin e kohës.

“PD ka nevojë të kapë trenin e kohës, ne duhet të japim një ekip të ri, njerëz që nuk janë provuar për keq, as nuk kanë dështuar as janë provuar. Unë nuk mund ta duroj që të premtohet kthimi i pronave në 2022 kur jam në 2025-ën. Unë nuk e pranoj se partia ime kur të flas për ekonominë do them do vetëm ulim taksat. Ne kemi vetëm një qasje për shqiptarët, sfida me Ramën nuk bëhet me një njeri që ka qoftë edhe një njollë të vogël. Edi Rama nuk mundet me propagandë dhe akuza, por në betejë vlerash, nuk mundet me forcë. Shqiptarët duan ndershmëri.  Një ekip me njerëz të ndershëm, dhe PD ka shumë. Me z.Berisha dhe modelin e tij politik PD nuk ka mundësi të jetë konkuruese. Kemi të  njëjtën fotografi të PD, me të njëjtët njerëz. Sot rrezikojmë të bëhemi parti 20%, ndaj këmbëngul në një ekip të drejtë, të ndershëm. Këtë duan shqiptarët. Jam gati të mos marr pjesë në asnjë garë, mjafton të hapet një garë e ndershme, pa futur duart Berisha”, tha Kadilli.

Sali Berisha e avancoi lëvizjen për marrjen nën kontroll të PD duke zgjedhur një Këshill të ri Kombëtar të PD-s, me disa afrime të reja por duke lënë jashtë kritikët dhe mbështetësit e Bashës.

Lista e re Këshillit të ri Kombëtar prezantuar nga Albana Voksi,  sugjeron se tashmë kemi të bëjmë me një PD,  më të hapur duke rikthye në këshill të larguarit e Bashës siç ishin dy ish deputetët që nuk iu bindën bojkotit parlamentar. Muslim Murrizi dhe Rudina Hajdari. Kjo është vetëm një anë e medaljes.

Edvin Kulluri një zë kritik ndaj Bashës dhe Berishës  në PD , u la jashtë këshillit sikurse edhe Roland Bejko. Por Fatbardh Kadilli i vetmi zë kritik në Kuvendin Kombëtar të PD u votua për të qenë në këshill.

Lista e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar më shumë se sa një hapje e partisë me qëllim bashkimin u duk si një lëvizje pragmatiste e Berishës i cili afron afër vetes edhe dy ish ministra dhe një ish zëvendës ministër nga koha e qeverisjes së tij.

 

 

Top Channel