Ish-deputeti Myslim Murrizi i ftuar këtë të hënë në emisionin “Top Story” në Top Channel, tashmë i vendosur krah Sali Berishës komentoi Kuvendin Kombëtar të ‘Rithemelimit’ të mbajtur të shtunën.

“Erdhi partia tek unë jo unë tek partia. Unë u ktheva në 2017 pasi mora PD dega Lushnjë në 2014 kur s’i qasej njeri. Unë isha i pari që theva tabunë e mbajtjes së mandatit. Ishte edhe falja e 60 bashkive maxhorancës. nëse vijohet beteja parlamentare të jeni të bindur se do të merreshin më shumë bashki.

Ishte vendim i kuvendit, u miratua një rezolutë që kërkuan ndjesë publike për të gjithë mllefin, sharjet që ka qenë drejtuar jo vetëm ndaj Murrizit, por edhe 22 të tjerë që erdhën pas meje. Nëse do vijohej beteja parlamentare dhe protestat, do kishim marrë më shumë bashki në 2019. Të dy edhe Basha edhe Berisha e belbëzuan më vonë se gabuan”, tha Murrizi.

Komisioni i Rithemelimit me në krye Sali Berishën mblodhi dy ditë më parë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë 1425 delegatë të cilët votuan zgjedhjen e Këshillit të Kombëtar.

Berisha e avancoi lëvizjen për marrjen nën kontroll të PD duke zgjedhur një Këshill të ri Kombëtarë të PD-s, me disa afrime të reja por duke lënë jashtë kritikët dhe mbështetësit e Bashës.

Lista e re Këshillit të ri Kombëtar prezantuar nga Albana Voksi,  sugjeron se tashmë kemi të bëjmë me një PD,  më të hapur duke rikthye në këshill të larguarit e Bashës siç ishin dy ish deputetët që nuk iu bindën bojkotit parlamentar. Muslim Murrizi dhe Rudina Hajdari. Kjo është vetëm një anë e medaljes.

Edvin Kulluri një zë kritik ndaj Bashës dhe Berishës  në PD , u la jashtë këshillit sikurse edhe Roland Bejko. Por Fatbardh Kadilli i vetmi zë kritik në Kuvendin Kombëtar të PD u votua për të qenë në këshill.

Lista e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar më shumë se sa një hapje e partisë me qëllim bashkimin u duk si një lëvizje pragmatiste e Berishës i cili afron afër vetes edhe dy ish ministra dhe një ish zëvendës ministër nga koha e qeverisjes së tij.

Top Channel