Krye-propagandisti rus nxit Putin ‘të fundosë Britaninë në det’ me bombën atomike nënujore që shkakton tsunami 600m të lartë (foto-video)

02/05/2022 21:35

Komentatorë në mediat shtetërore ruse duket se po i sugjerojnë liderit Putin të zhdukë ishujt britanikë nga harta e botës duke përdorur armë të fuqishme bërthamore që shkaktojnë tsunami përmbytës , prej mbështetjes që kjo e fundit po i jep Ukrainës.

Rrjeti Daily Mail shkruante se Dmitry Kiselyov, i njohur si ‘zëri i propagandës’ së Putin tha dje se ndaj Britanisë mund të përdoren bombat Poseidon që shkaktojnë valë radioaktive nënujore 500-600 metra të lartë, e aftë për të ‘dërguar Britaninë në fund të oqeanit’.

“Droni ka kapacitet për mbushjen bërthamore me forcë 100 megaton”, pretendonte Kiselyov që do të thotë disa mijëra herë më e fuqishme se bomba e lëshuar Hiroshima – e cila do të shkaktonte një tsunami deri në 600 metra të lartë, që është dhe pika më e lartë e relievit në Angli.

Kiselyov shtonte më tej për skenarin e tij apokaliptik: “Kjo valë gjigante do të jetë gjithashtu me doza të larta ekstreme radiacioni, duke kthyer gjithçka në një shkretëtirë radioaktive. Si ju duket kjo mundësi?”

Kiselyov kërcënoi gjithashtu Britaninë me raketat Sarmat 2, të testuara disa ditë më parë, për të cilat pretendoi se janë “po aq të efektshme”.

“Ishulli i tyre është aq i vogël sa mund të fundoset njëherë e përgjithmonë nga një raketë Sarmat, që mund të shkatërrojë një zonë me masë sa Texas ose Anglia. Vetëm një lëshim Boris, dhe nuk ka më Angli”, tha ai në mënyrë provokative.

Komentet e Kiselyov vijnë pas një përkeqësimi të mëtejshëm të retorikës kur Boris Johnson sugjeroi se mund të sulmojë Rusinë pa u konsultuar me NATO-n, sipas Daily Mail.

Kërcënimet vijnë pasi Britania ka qenë nga vendet që kanë dërguar më shumë armë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë dhe zoti Johnson ka vizituar dy herë Kievin për të treguar mbështetje.

Zhvillimi vjen gjithashtu pasi agjentë britanikë të shërbimeve MI5 thanë se “sabotatorë rusë po hyjnë në Britani për të shkaktuar sulme” ndaj infrastrukturës apo politikanëve.

Ndërsa në televizionet ruse janë transmetuar simulime të sulmeve të mundshme të Moskës ndaj Londrës Parisit e Berlinit.

Zhvillimet vijnë gjithashtu në një kohë lufte të ashpër informacioni ku të dyja palët etiketojnë si dezinformacion çdo të dhënë kundër linjës së tyre.

Operativët online kanë goditur rrjete perëndimore duke përfshirë dhe kryeministrin britanik  Boris Johnson, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kreun e politikës së jashtme të BE Josep Borrell.

Rrjete të muzikantëve të famshëm si Daft Punk, David Guetta, Tiesto e Rammstein janë goditur nga vala e dezinformacionit, siç pretendohet nga Moska.

Një prej tyre i njohur me emrin ‘Cyber Front Z’ – besohet se operon nga qyteti i dytë më i madh i Rusisë Shën Petersburg, ku me anë të punonjësve pompohen komente pro-ruse në platforma  si Instagram, Facebook, Tëitter, YouTube e TikTok.

FOTO GALERI
10/10
Ushtare ukrainas pas goditjeve ndaj strukturave

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA