Përpjekje për të ndalur përparimin e Rusisë në juglindje të Ukrainës

01/05/2022 08:55

Të shtunën forcat ukrainase luftuan për të penguar përparimin e trupave ushtarake të Rusisë në juglindje të vendit.

Kremlini po bën përpjekje të pushtojë rajonin industrial të Donbasit. Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se ofensiva e Moskës po ecën shumë më ngadalë sesa ishte parashikuar.

Nga ana tjetër Kombet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet për të ndërmjetësuar evakuimin e civilëve nga qyteti i shkatërruar i Mariupolit, një qytet-port në jug të Ukrainës, të cilin Rusia është përpjekur ta marrë nën kontroll, që prej fillimit të sulmit ndaj këtij vendi, më shumë se nëntë javë më parë.

Banorët që ndodhen në një fabrikë çeliku në Mariupol po luten të shpëtojnë tha të premten kryebashkiaku Vadym Boichenko. Fabrika është shndëruar në bastionin e fundit të mbrojtjes së qytetit dhe në të ndodhen rreth 2 mijë luftëtarë, si dhe rreth 1 mijë civilë.

Në një intervistë për agjencisë shtetërore kineze të lajmeve “Xinhua” ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se negociatorët rusë dhe ukrainas flasin pothuajse çdo ditë. Por përparimi shtoi ai nuk ka qenë i lehtë.

Sulmet ajrore dhe breshëritë e artilerisë e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e gazetarëve dhe kjo e ka bërë të vështirë sigurimin e një tabloje të plotë të luftimeve në lindje. Si Ukraina ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska që luftojnë në lindje, po zbatojnë kufizime të rrepta mbi njoftimet nga zonat e luftimeve.

Nga pikëpamja numerike, fuqia ushtarake e Rusisë e tejkalon shumë atë të Ukrainës. Në ditët para fillimit të luftës, sipas zbulimit perëndimor, Moska kishte pozicionuar pranë kufirit 190 mijë trupa ndërkohë ushtria e përhershme e Ukrainës llogaritet në rreth 200 mijë trupa.

Forcat ruse dhe ato separatiste duket se kanë bërë përparime të vogla në Donbas prej momentit që Moska njoftoi se do të përqendronte forcën e saj ushtarake në Ukrainën lindore.

Ky zhvillim vjen pjesërisht për shkak të rezistencës së fortë ukrainase. Sipas një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti, Uashingtoni beson se rusët janë të paktën disa ditë prapa me objektivat e tyre ndërsa përpiqen të rrethojnë trupat ukrainase në lindje.

Ministria britanike e Mbrojtjes ofroi një vlerësim të ngjashëm duke thënë se beson se forcat ruse në Ukrainë ka të ngjarë se po përballen me një dobësim të moralit në radhët e tyre si dhe nga një mbështetje e paqëndrueshme ajrore. Por zyrtarët britanikë nuk dhanë detaje se ku i kishin bazuar këto vlerësime./ VOA

Top Channel