Në ceremoninë e uljes së avionit të parë të linjës Tiranë-Nisë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ky është një lajm i shkëlqyer në vitin kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për ta promovuar edhe më shumë atë.
Ai shtoi se kalimi i aeroportit tek investitorët shqiptarë ka sjellë ulje të çmimit të biletave për qytetarët shqiptarë. “Kemi parë se si në këto muaj të tranzicionit në duart e investitorëve shqiptarë, aeroporti i ka ulur tarifat dhe barrierat që e bënin shumë të vështirë ardhjen e kompanive ‘loë cost’. Në anën tjetër të aeroportit po punohet për të zgjeruar terminalin edhe me 6 porta të tjera, të cilat do të kthehen në porta ajrore për t’i dhënë më shumë mundësi për lidhje Tiranës, e sidomos djemve e vajzave të rinj të kryeqytetit tonë”, nënvizoi ai.
Kryebashkiaku shprehu bindjen se shtimi i linjave direkte të fluturimit do të ndihmojë dhe në ndryshimin e perceptimit të imazhit për vendin tonë.
“Këtë vit, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, duam ta hapim qytetin ndaj të gjithë atyre që duan ta vizitojnë, që pasi ta kenë vizituar Tiranën, të kthehen në vendin e tyre me mendim ndryshe për vendin tonë. Shpresoj shumë që kjo përpjekje për të shtuar këto fluturime, sidomos tre fluturimet e reja Paris, Nisë dhe Lion, të jetë një mundësi për të ndryshuar mentalitet, jo vetëm për ne, por edhe për ata që vijnë nga bota frankofone, për të parë se Tirana ka ndryshuar. Tirana është sot evropiane dhe ne e kemi merituar jo vetëm të qenit Kryeqytet Europian i Rinisë, por edhe të qenit një anëtar i ardhshëm i BE-së”, theksoi Veliaj.
Ndërkaq, pas hapjes së qendrës TUMO, në Tiranë do të zbatohet edhe një tjetër nismë në fushën e inovacionit.
“Jemi duke punuar jo vetëm që të forcojmë lidhjet ajrore me Francën, por kryeministri Rama ka nisur një nismë të veçantë me “Ecole 42”, e cila është – le të themi – versioni francez i TUMO-s, ose i Factory Berlin, ose i shkollës Holberton nga Silicon Valley. Edhe ata kanë arritur që të ecin përpara në fushën e inovacionit, kodimit etj. Në gjeneratën e sotme duhet të dish ‘scratch’, ‘python’ dhe ‘java’, sepse këto janë gjuhët e reja dhe një CV pa eksperiencë në teknologji është e varfër sot”, tha Veliaj.
Top Channel