Amerikanët nuk e njohin Komisionin e Rithemelimin si organ drejtues të Partisë Demokratike, ashtu siç nuk njohin Berishën, si lider të saj.
Për të dytën herë në katër muaj, të dërguarit e Uashingtonit, mbërrijnë në orët e fundit të përgatitjes të një evenimenti të organizuar nga ish-kryeminsitri i shpallur non grata, e që synon jo vetëm ti japë fund epokës Basha në PD, por dhe të shkëpusë çdo ndikim të mundshëm amerikan brenda selisë blu.
Të dërguarit e departamentit amerikan të shtetit, Karen Donfried dhe Gabriel Escobar zgjodhën ti japin një mesazh të fortë publik demokratëve. Drejtuesit e opozitës për Shtetet e Bashkuara të Amerikes janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.
“Mora mbështetjen e zonjës dhe të DASH dhe SHBA për mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme, një opozite, pro amerikane që sheh nga e ardhmja.”– tha Alibeaj.
Një opozitë pro amerikane, ka një avantazh ndaj opozitës së Sali Berishës. Ajo është një alternativë pushteti nesër. Këtë ndryshim thelbësor e theksoi edhe ambasada amerikane.
“Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata.”- thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Fokusi i një opozite kundër korrupsionit nuk mund të përfshijë Sali Berishën. Dhe në takimin që zyrtarët e lartë të DASH patën me Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn, kjo çështje është diskutuar. Por, nëse në të shkuarën ky mesazh i thënë nga Yuri Kim, ka sjellë reagime të menjëhershme nga Berisha, sot foltorja, nuk foli.
Vizita e amerikanëve bëri që Berisha të anullonte konferencën e tij të përjavshme në selinë blu. E vetmja që foli ishte Floriana Garo.
“Nesër votohet Këshilli Kombëtar”- tha Floriana Garo.
Top Channel