Kryeministri Edi Rama ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Malit të Zi, ndërsa thekson se tani rajoni ka tre liderë shqiptarë.
“I lumtur që Dritan Abazoviç është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë. Urime dhe sukses Dritanit, për Malin e Zi e për krejt rajonin tonë”, shkruan Rama në një status në rrjetin social “Facebook”.
Kuvendi zgjodhi këtë të enjte qeverinë e 43-të të Malit të Zi. Ballkani ka nga sot një kryeministër të tretë shqiptar.
Për zgjedhjen e qeverisë së re dhe miratimin e kryeministrit votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa kundër tre deputetë të SD-së.
Qeveria do të ketë 18 ministri dhe në përbërje ka edhe dy ministra shqiptarë. Abazoviç i ka besuar Ministrinë e Administratës Publike Marash Dukajt, ndërsa Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave është propozuar për t’u drejtuar nga Fatmir Gjeka, i cili më herët ka drejtuar komunën e Ulqinit.
Top Channel