Gjysmëfinalet ndezin Europa dhe Conference League, spikasin sfidat e skuadrave angleze

28/04/2022 09:19

Europa League dhe Conference League luajnë mbrëmjen e së enjtes gjysmëfinalet e para, teksa për llogaritë e Europa League, Leipzig pret Rangers dhe West Ham sfidon gjermanët e Eintracht Frankfurt. Katër skuadrat kërkojnë një biletë për në finalen e Ramon Sanchez Pizjuan, stadiumin e Sevilla-s.

Në raundin e kaluar, Leipzig ia doli mbanë të eliminonte italianët e Atalantës, ndërsa Rangers u kualifikua përballë portugezëve të Bragës.

Ndërkaq, West Ham që cilësohet edhe si një nga skuadrat që mund t’i shkojë deri në fund turneut, në çerekfinale eliminoi Lyon ndërsa Eintracht Frankfurt nxorri jashtë loje një nga favoritet e turneut si Barcelona. Nga ana tjetër, Conference League që do të kulmojë me finalen e datës 25 maj në Tiranë në stadiumin Air Albania, në sfidat gjysmëfinale spikat përballja mes Leicester dhe Romës. Anglezët cilësohen favorit ndaj italianëve, megjithatë verdhekuqtë mund të mbështeten te eksperienca e një trajneri si Jose Mourinho.

Në raundin e mëparshëm, Leicester eliminoi PSV, ndërsa Roma eliminoi Bodo/Glimt. Përballja tjetër gjysmëfinale është ajo mes Feynoord dhe Marseille. Një përballje e barabartë, edhe pse francezët janë disi më favoritë teksa në raundin e kaluar eliminuan PAOK. Ndërkohë, që holandezët për të prekur gjysmëfinalen eliminuan Slavia Prague.

Top Channel