Akuzat e Sali Berishës, të përcjella dhe në një pjesë të shoqërisë civile ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, juristi Plarent Ndreca i cilëson “shqelm ndaj asaj që kemi arritur falë bashkëpunimit me aleatët tanë”.

I ftuar në “Top Story”, Ndreca thotë se ‘fitore’ si pavarësia e Kosovës, i kemi arritur falë bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtare, veçanërisht partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, kritikave se askush nuk duhet të ndërhyjë në kushtetutën tonë, juristi u përgjigjet se “që në momentin që jemi bërë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare, kemi hequr dorë nga ‘kjo e drejtë absolute’.

Është shumë populiste, që meqë populli shqiptar ka votuar një kushtetutë, çdo gjë e kushtetutës duhet të kalojë nga populli. Në vitin 1992, ata erdhën në pushtet duke kërkuar Amerikën, duke kërkuar vlerat perëndimore. Nëse bëhesh pjesë e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare si NATO dhe Këshilli i Europës, gjërat ndryshojnë”.

Ndodhemi në një diskutim që nuk duhet të ishim sot, shprehet Ndreca.

“Nuk ka të bëjë as me aspiratat e popullit shqiptar. Kjo është një formë se si t’i biem në shqelm asaj që kemi arritur me aleatët tanë”.

Një peticion kundër ambasadores amerikane në Shqipëri Yuri Kim është shpërndarë në rrjetet sociale.

Në nismën ““Enough is enough” (“Mjaft është mjaft”), i kërkohet Departamentit Amerikan të Shtetit, që t’i ndalojë ambasadores ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit tonë, sidomos në politikën e brendshme të Partisë Demokratike, ku Kim është shprehur shpesh kundër Sali Berishës, i shpallur ‘non grata’ nga DASH.

Top Channel