Presidentja Vjosa Osmani është pritur gjatë ditës në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, senatori Chuck Schumer, kryetari i komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senat, senatori Bon Menendez dhe kryetari i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare në Senat, senatori Gary Peters.
Gjatë takimit me senatorin Chuck Schumer, Osmani -bën të ditur zyra për media- diskutoi për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në kohën kur bashkimi i demokracive anekënd botës në betejën kundër autokracive po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
“Presidentja Osmani falënderoi senatorin Schumer për kontributin e tij të deritanishëm ndaj Kosovës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes amerikane për Kosovën në këtë kohë sfiduese për kontinentin tonë”, thuhet në komunikatë.
Në takim me kryetarin e komisionit për marrëdhënie me jashtë në Senatin amerikan, senatorin Bob Menendez, presidentja thuhet se diskutoi për situatën e krijuar në rajonin tonë pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe për faktin se ka interesim të vazhdueshëm nga Rusia dhe aleati i saj në rajon, Serbia, që të minohen të arriturat e popullit të Kosovës dhe të arriturat amerikane në vendin tonë.
Presidentja Osmani dhe senatori Menendez, po ashtu diskutuam për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fusha të ndryshme si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, në takim me senatorin Gary Peters, kryetar i komisionit për punë të brendshme dhe çështje qeveritare, Osmani e ka falënderuar senatorin Peters për përkrahjen e Kosovës për një kohë të gjatë.
Po ashtu, Osmani thuhet se diskutoi me të për rëndësinë e mbështetjes amerikane në kohën kur rajoni ynë po përballet me sfida të krijuara nga satelitët e Rusisë si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Top Channel