Pasi dështoi të bindte Putinin të ndalonte luftën në Ukrainë ndërmjet përfaqësuesve të tij, shefi i OKB Antonio Guterres shkoi vet në Moskë të martën për të zhvilluar një takim me presidentin rus.
Por në pritje të bisedimeve me shefin e Kremlinit, ishte ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov ai që e priti fillimisht, ku ndanë mendimet për atë se çfarë po ndodh në Ukrainë. Guterres në takim i mëshoi idesë së një armëpushimi.
“Jemi jashtëzakonisht të interesuar të gjejmë mënyrat për të krijuar kushtet e një dialogu efikas, ato të arritjes sa më shpejt që të jetë e mundur të një armëpushimi, e sigurisht dhe kushtet për një zgjidhje paqësore të këtij konflikti”.
Ai shprehu megjithatë shqetësimin e raportimeve të vazhdueshme të shkeljes së të drejtave të njeriut në Ukrainë, duke thënë se duhen krijuar urgjentisht korridore evakuimi për civilët.
“Jam i shqetësuar për përsëritjen e episodeve të dhunës dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Ukrainë, ndërsa autoritete po hetojnë edhe për krime lufte në mënyrë që të mbahet përgjegjësi nga ata që i kryejnë. Por njëkohësisht na duhet urgjentisht vendosja e korridoreve humanitare, që të shpëtojmë të gjithë civilët e rrezikuar”.
Lavrov nga ana e tij premtoi bashkëpunim për të lehtësuar një përgjigje humanitare dhe shpjegoi arsyet e zemërimit të Moskës me Perëndimin.
“Situata në Ukrainë është kthyer në një katalizator për një numër të madh problemesh, të cilat janë akumuluar gjatë dekadave të fundit në rajonet evropiane dhe Atlantike. Perëndimi i ka përbuzur prej vitesh parimet e multilateralizmit, e ka ndërmarrë taktika të futjes në arenën botërore të rendit të njëanshëm botëror që ai të qëndrojë përgjithmonë”.
Por gjatë kohës që në Moskë zhvilloheshin bisedime, ne terren forcat e saj nuk i ndalën sulmet jo vetëm në rajonin e Donetsk dhe Luhansk por edhe në rajonin separatist të Transnistrisë në Moldavi.
Presidentja e Moldavisë tha se pati një seri sulmesh në zonë, duke iu bërë thirrje qytetarëve të rrinë të qetë pasi po merrej çdo masë e nevojshme.
Nëse Rusia merr kontrollin në Transnistrinë, kjo mund t’u mundësojë forcave të saj të lëvizin në Odesa, një qytet port i rëndësishëm strategjik, nga perëndimi. Në këtë të fundit , zyrtarët ukrainas tha se rusët kishin goditur një urë që lidhte jugun e qytetit me Rumaninë.
Top Channel