Hapat që po ndjek Komisioni i Rithemelimit, i drejtuar nga Sali Berisha, për bashkimin e Partisë Demokratike, e ka thelluar më tej krizën brenda së djathtës, sipas Edvin Kullurit.
Në një intervistë për “Top Talk”, politikani i Partisë Demokratike, foli për shkaqet, që sipas tij thelluan mosmarrëveshjet brenda partisë.
“Në parti duheshin debate dhe përballje me kryesinë për të diskutuar rreth gjërave të cilat duhet të realizoheshin”, shprehet ai.
Pas disfatës në zgjedhjet e pjesshme parlamentare të 6 marsit dhe dorëheqjes së kërkuar të Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, deputetët duhet të bashkoheshin dhe të diskutonin për zgjidhjen e krizës, thotë Kulluri.
“Janë shumë çështje që duhet të diskutohen. Do diskutohen edhe në parlament”.
Sali Berisha ka nisur procesin e zgjedhjeve për kryetar në çdo degë të PD-së. Nisma e tij është kundërshtuar nga pala tjetër që mbështet kryetarin e komanduar të PD-së Enkelejd Alibeaj.
Sipas tij, Sali Berisha është person karizmatik në politikë, por i mungon mbështetja.
“Berisha person karizmatik në politikë, por nuk ka pjesëmarrjen me te lartë. Mungon mbështetja”, u shpreh Kulluri.
Kulluri thotë se partia është e përçarë “nuk dinë se sa anëtarë kanë ose si janë të ndarë”.
Ndërsa qëndrimin që PD-ja po mban ndaj Departamentit amerikan të Shtetit dhe ambasadës Amerikane, Kulluri e cilëson “një vijë e kuqe për PD-në”.
“Partia Demokratike duke mbajtur qëndrime kundër Departamentit Shtetit dhe Ambasadës Amerikane që është përfaqësuese e qeverisë Amerikane është një vijë e kuqe për PD”.
Top Channel