Drejt dekadës rozë/ Një vit më parë, socialistet fituan mandatin e tretë por Rama kërkon akoma

25/04/2022 19:42

Një vit më parë në 25 Prill 2021 socialistët e udhëhequr nga Edi Rama bënë histori. 

Për herë të parë, një shumicë qeverisëse në Shqipëri,  arriti të fitonte mandatin e tretë pas marrjes në ato zgjedhjeve të 74 mandateve.

Aq sa Edi Rama u angazhua të fitonte në ate qe me shaka u quajt Memorandumin e Kuçit, ose basti i tij me disa vlonjate, pak ditë përpara 25 prillit 2021.

Edi Rama preferoi që skuadrën  tij të tretë qeverisëse ta ndërtonte me disa ish ministra të kabinetit Rama2 e pjesën tjetër,  me ministra të  një profil të ulët politik, më shumë teknik.

Gjatë një viti qeverisje Edi Rama vijoi projektet e nisura më parë sikurse iu desh të menaxhonte edhe kriza të reja.

Atë energjitike, pasuar nga ajo e rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.

Rindërtimi, me lagjet e përfunduara në Lac, Thumanë e së fundmi në Kavajë ishin treguesi se qeveria Rama kërkonte ta përmbushte sa me shpejt, premtimin e shërimit të plagëve të tërmetit.

Shqipëria 2030,  një paketë investimesh në infrastrukturë  gati 2 miliard dollar, ishte një prej pikave të forta të fushatës elektorale të socialistëve.

Pasi i uli çunat e Londrës në aeroportin e ri të Kukësit, siç kishte premtuar, në vitin e parë të mandatit të tretë, Rama dha ok për ndërtimin e aeroportit të tretë në vend atë të Vlorës.

Në kushtet e një kërcënimi serioz për buxhetin e shtetit nga subvencionimi energjisë elektrike, megjithëse do të duhen disa vite punë, qeveria Rama avancoi me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës pas marrjes së një kredie nga qeveria e SHBA.

Sikurse edhe në mandatin e dytë , edhe ky i tretë për Ramën është i mbërthyer nga kriza, te një karakteri tjetër.

Pas Tërmetit dhe Pandemisë, qeverisë Rama 3 iu desh të përballet me krizën energjetike dhe atë të rritjes së çmimit të naftës e ushqimeve bazë.

Zgjidhja e ofruar nga qeveria, ishte e njëjtë si me pandeminë.

Subvencione për blerjen e energjisë, subvencione grupeve në nevojë dhe një tentativë shtetërore përmes bordeve në kontrollin e çmimeve.

E ndërsa në mandatin e dytë Edi Ramës iu desh të përballej poshtë zyrës së tij me molotovët e protestuesve të opozitës, muajt e fundit të vitit të parë të mandatit të tretë u përball me një protestë qytetare për rritjen e  çmimeve, por që u shua shpejt ne momentin kur ne shesh u shfaqen segmente të njohura te politikës. Ne raste te tilla, gjate këtij viti, fundi ka qene i njejte. Sheshet boshatisen shpejt. Kjo sepse

politikisht avantazhi i Edi Ramës, mbetet i pandryshuar: ai quhet Partia Demokratike.

Ato të paktat përballje në parlament me Lulzim Bashën, , u përdorën nga Rama për të treguar supermacinë e tij politike dhe për te theksuar kaosin shkatërrues që kishte nisur në PD.

Opozita u mundua ta ndalonte supermacinë e Ramës përmes një komisioni hetimor për incenereatorët duke dashur ta vendosnin kryeministrin përpara faktit të kryer se ishte konsumuar vjedhja e shekullit.

Edi Rama ofroi 11 orë përballje, përmes shifrave dhe batutave, përballë pretendimeve te opozitës për vjedhjen që sipas tyre kapte vlerën e 430 milion euro.

Por Dy muaj më pas Alqi Bllako ish sekretar i përgjigjëm i presidencës e më pas në ministrinë e mjedisit do të prangosej nga SPAK, si zyrtari i dyte i larte pas hekurave për te njëjtën dosje.

Akuzave të shumta për përgjegjësi edhe nga Rama, kryeministri u dha te njejten përgjigje: se përgjegjësia është personale.

Qe nga 9 shtatori, me nisjen e Kuvendit dhe të peripecive te PD me Sali Berishën non grata, Edi Rama vijoi të qeverisë i qetë politikisht me të vetmen opozitë, nëse mund të quhen kështu, britmat e protestës qe vijne nga Erion Brace, kryesisht për bujqësinë.

Kështu qeverisja socialiste ka hyrë sot në vitin e dhjetë, opozita e Berishës dhe pak jave me vone dhe e Metes ne dekadën e parë, ndërsa vendi ecën akoma drejt një skenari te panjohur, ku defektet e opozitës, duken me te mëdha se gabimet e qeverise. Ku ministra ikin dhe vijnë, po ashtu edhe deputete. I vetmi qe nuk ndryshon është kryeministri. I cili qe tani, po flet i qete dhe i pandërprerë, për garimin për një mandat (tjetër) te katërt.

 

 

 

 

 

Top Channel