Veliaj pret kryetarin e Komunës së Suharekës dhe i jep Kullen e Sahatit: Viti i Rinisë, mundësi për të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare

23/04/2022 12:16

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, me të cilin diskutoi mbi rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, kryesisht në atë të inovacionit, ekonomisë dhe të sportit.

“Mezi pres që ky fillim të jetë një ogur i mirë për çfarë mund të bëjmë bashkë në aktivitetet kulturore dhe ekonomike, duke mësuar pak nga njëri-tjetri. Gjykoj që ku ka vullnet, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje. Pavarësisht se po jetojmë kohë të vështira, pas Covidit, pas rritjes eksponenciale të çmimeve, me pak fantazi, me një skuadër të mirë, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme për njerëzit tanë”, tha Veliaj.

Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana ka një program ambicioz që synon të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve. Kryebashkiaku nënvizoi se kjo është një mundësi shumë e mirë edhe për të rinjtë nga trevat shqiptare, për të shfaqur talentin e tyre. “Shpresoj shumë që, në këtë vit kur ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë, t’i lidhim më shumë të rinjtë tanë. Basketbolli, volejbolli, sporti është një mënyrë. Por unë besoj se kemi shumë të rinj në teknologji. Jo të gjithë do të bëhen juristë, jo të gjithë do të studiojnë shkenca politike, disa do të duhet të mësojnë një zanat. Fakti që një qytezë si Suhareka është bërë një histori suksesi në punësimin e brezit të ri, besoj se është një shembull për gjithë ne të tjerët”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj u shpreh se teknologjia po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe në jetën e qyteteve, teksa vlerësoi Tiranën në hapat e ndërmarra në këtë drejtim. “Për mua është nder dhe kënaqësi që kam ardhur të marr përvojë nga qyteti i Tiranës. Më pëlqen shumë teknologjia informative, që kemi më së shumti nevojë, por edhe shumë gjëra të tjera që na hyjnë në interes të punës së Suharekës. Jeni përpara nesh dhe e pranojmë. Por kohët e fundit Suhareka ka patur ndryshime të mëdha”, deklaroi Muharremaj.

Top Channel