Manchester United pësoi një tjetër disfatë të hidhur pas asaj të javës së kaluar ndaj Liverpool.

Djajtë e Kuq u mposhtën në transfertë ndaj Arsenal me rezultatin 3-1, teksa topçinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme pasi gjetën avantazhin që në minutën e tretë me anë të Tavares. Vrulli i Arsenal ishte i madh dhe në vazhdim të besuarit e trajnerit Mikel Arteta shënuan edhe një tjetër gol me anë të Nketiah, por VAR e anuloi për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Saka realizoi të dytin për të tijtë nga pika e bardhë në minutën e 32-të duke mposhtur edhe njëherë De Gean. Gjithsesi, Manchester United nuk u dorëzua dhe shkurtoi diferencat me anë të Cristiano Ronaldos. Portugezi u gjend në momentin e duhur në vendin e duhur dhe shënoi brenda zonës së kundërshtarëve teksa 37-vjeçari ia dedikoi golin djalit të humbur vetëm pak ditë më parë.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë, United u shfaq më kërkues dhe në fakt kishte mundësinë e artë për të barazuar takimin, por nga pika e bardhë, Bruno Fernandes gaboi shënjestër. Ky episod ndëshkoi miqtë dhe Granit Xhaka vulosi triumfin e Arsenalit me një goditje potente nga distanca duke mos i lënë mundësi reagimi portierit De Gea.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi me Arsenal që tashmë në pritje të ndeshjes së Tottenham, ngjitet në vendin e katërt me 60 pikë ndërsa United ngec në vendin e gjashtë me 54 pikë dhe me shanse minimale për ta mbylur sezonin në vendin e katërt./supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA