Dy nëna, nga Rezalla e Skënderajt, pas 24 vitesh, për herë të parë flasin me shumë emocion për krimin e rëndë që u kishte ndodhur gjatë kohës së luftës, kur atyre dhunshëm u janë vrarë fëmijët që ende nuk i kishin lindur.
Zabeli dhe Sevdije Deliu nga Rezalla e Skënderajt, gjatë vitit 1998, lindën të vdekur dy fëmijë në spitalin e Gjakovës dhe shpëtuan të gjalla falë ndihmës që në këtë spital iu kishte bërë doktor Hasan Manxhuka, si dhe stafi i gjinekologjisë së Malishevës, mamia Sanije Desku dhe aktivistë të kësaj komune, që i kishin marrë dy gratë në Rezallë për t’í dërguar në drejtim të Gjakovës.
Lidhur me ngjarjen e dhimbshme, mes lotësh, këto dy nëna nisin rrëfimin për krimin që kishin përjetuar gjatë luftës në Kosovë, duke ua vrarë foshnjat ende pa lindur, të pagëzuar me emra sinjifikativë: Lirie dhe Liridon, pa mundur kurrë t’i thërrasin emrat e tyre.
“Liri kemi kërkuar të gjithë, se s’ishim të lirë, prandaj e pagëzuam Liridon”, tha nëna e Liridonit, Zoja Zabeli.
Po kështu kishte përjetuar edhe nëna e Lirisë, Sevdije Deliu, nga Rezalla, e cila ngjarjen e kobshme e rrëfen me dhimbje të madhe.
“Ia kam vënë emrin Lirie, me urimin që ne të tjerët të jetojmë të lirë, me dëshirën që ky vend të lirohet. Uroj që kurrë të mos kemi punë me ta”, deklaroi mes lotësh, Sevdije Deliu në emisionin “Udhëve” të RTK-së.
Më tej ato rrëfejnë skena të tmerrshme, të cilat i kanë përjetuar dhe mbijetuar gjatë luftës në Drenicë e Kosovë, masakrat që kanë kryer forcat serbe mbi popullatën civile në atë rajon.
Ato, foshnje të palindura u bënë theror lirie. Kështu, me peshën e rëndë të dhimbjes kujtohen nga familjarët dhe më gjerë.
Tragjedi të tilla që kanë ndodhur në Luftën e Kosovës janë të panumërta./ Telegraf
Top Channel