U shtrua në Sanatorium nga problemet me frymëmarrjen, ish-Presidenti Nishani dërgohet për kurim në Gjermani

22/04/2022 13:44

Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani është transferuar mëngjesin e kësaj të premteje drejt Gjermanisë, për t’u trajtuar në një spital të specializuar.

Ish-Presidenti u shtrua pasditen e të mërkurës në Spitalin “Shefqet Ndroqi” me komplikacione post Covid. Ai u paraqit me vështirësi në frymëmarrje dhe menjëherë nisi të trajtohej me oksigjenoterapi, por në sasi më të vogla.

Mjekët e spitalit shpjeguan se ish presidenti Bujar Nishani kishte pneumoni bilaterale të mbivendosur në fibrozat e krijuara në mushkëri, pasi kishte kaluar sëmundjen e Covid dy javë më parë.

Ai kishte parametra të mirë jetësor, por ka qenë kërkesa e familjarëve të tij për ta transferuar drejt Gjermanisë.

Pasardhësi i Nishanit në krye të shtetit, Ilir Meta i ka uruar shërim të shpejtë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, shoqëruar me foto nga një takim me ish-Presidentin Nishani, Meta shkruan:

I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë Presidentit Bujar Nishani dhe lutem për kthim sa më parë pranë familjes së tij dhe në krye të angazhimeve të rëndësishme”.

Top Channel