Pas kërkesës së SPAK, komisari Sokol Bode, ish-shefi në postën policore Dhërmi, u dënua nga gjykata e posaçme me 12 vite burgim.
Por edhe ish zyrtari i policisë së Vlorës përfiton nga gjykimi i shkurtuar një zbritje prej katër vitesh. Prokurori i SPAK Dritan Preci tha se përgjimet e ekspozuan komisarin e Vlorës , ashtu si edhe shefin e sektorit të narkotikëve në këtë qytet, kur mbasi e lëvizën nga detyra duke e transferuar në policinë e Shkodrës, ai i qetëson kultivuesit e kanabisit duke i udhëzuar se mund të komunikonin me shefin tjetër Kohila i pagëzuar ndryshe si ‘Xheku’.
Emri i Bodes ishte në të njëjtën dosje me ish-ministrin Saimir Tahiri, por çështja ndaj tij dhe Kohilës u veçua për tu gjykuar në mungesë.
Ndryshe nga drejtori i tyre Jaeld Cela që u shpall fajtor për shpërdorim detyre, ish-shefi i narkotikëve Kohila i vetë-dorëzuar mbas një arratie pesë vjeçare është dënuar me 8 vite burgim për akuzat e grupit dhe trafikut, njësoj si edhe më i fundit Sokol Bode.
Gjatë të njëjtës ditë në një gjykatë sipërore sic është Gjykata e Apelit të Posaçëm, gjykata priste një vendim nga gjykata e Katanias, mbasi në gjykimin Habilaj e të tjerë, njëri nga të akuzuarit është shpallur i pafajshëm.
Sakaq për dosjen tjetër te veçuar në krye të herës dhe te mbyllur me dënimin për shpërdorim detyre te Tahirit dhe të ish kryepolicit Jaeld Çela, SPAK dhe mbrojta e tyre do të ndeshen në Gjykatën e Lartë. Më një SPAK që insiston dënimin e tyre për grup dhe narkotike dhe 2 te akuzuar që këmbëngulin pafajësi, nuk dihet ende nëse rekurset e palëve te pakënaqura, do të shqyrtohen brenda 3 vjetëshit me burgosje të ish ministrit.
Top Channel