Qeveria e Australisë tha se ka vendosur sanksione dhe ndalim udhëtimi për dy vajzat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe për vajzën e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ky njoftim i bërë më 22 prill, vjen pasi masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga shtete të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.
Me masat e reja, numri i persona dhe entiteteve ruse nga Australia ka arritur në pothuajse 750.Edhe pse në listën e sanksioneve australiane nuk u përmendën me emër vajzat e Putinit, presidenti rus ka dy vajza të rritura, Katerina Tikhonova dhe Maria Vorontsova. Në njoftimin e Qeverisë australiane u bë e ditur se vetë Putin dhe Lavrov ishin sanksionuar më 27 shkurt.
Në rundin e ri të sanksioneve po ashtu janë shënjestruar 144 ligjvënës rusë, të cilët i kanë ofruar mbështetje Putinit, duke miratuar njohjen e “jashtëligjshme” të dy rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Luhansk si entitete të pavarura më 22 shkurt, tha Ministria e Jashtme australiane.
Ministrja e Jashtme, Marisa Payne, shtoi se Australia do të vazhdojë të vendosë kosto ndaj Rusisë për shkak të “agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe shumë shtete perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj ekonomisë dhe entiteteve ruse./rel
Top Channel