Kosova dhe Serbia janë përplasur ashpër në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u shqyrtua raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i jashtëm serb Nikolla Sellakovic, e akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë edhe për trafikim organesh. Por shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla iu kthye ashpër duke i kujtuar se shteti i Kosovës nuk ka dalë nga “lëvizjet separatiste, por nga genocidi”.

Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shërbyer si ministër i “Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloshevic”, e u shpreh krenare me UÇK-në, “me burrat dhe gratë që mbrojtën njerëzit e tyre dhe shtëpitë e tyre”. Ajo theksoi se kur përfaqësuesi i Rusisë hedh akuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, i kujtohen akuzat që sot Rusia po bënë ndaj ushtarëve të Ukrainës që po e mbrojnë vendin e tyre.

Është zhgënjyese, shtoi Gërvalla, që Serbia ende nuk po distancohet nga krimet e kryera në Ballkan në të kaluarën. Ajo hodhi poshtë edhe pretendimet e përfaqësuesit të Beogradit se po rrezikohen pakicat në Kosovë, duke kujtuar se me “të tilla fabrikime në të kaluarën kanë filluar luftëra…Kujtojmë rastin ‘Panda’ në Pejë, ku vite e vite me radhë pretendohej se ushtarët e UÇK-së kishin vrarë serbët e Kosovës, e tashmë vet gazetat serbe kanë shkruar se rasti ishte trilluar nga vetë serbët”, u shpreh ministrja, që nuk la pa përmendur edhe deklarata e fundit të Dick Martyt se Serbia kishte planifikuar vrasjen e tij, për t’ua faturuar më pas shqiptarëve atë.

Top Channel