Aktorja legjendare e ‘Dirty Dancing’ thotë se operacioni në hundë ‘i prishi identitetin dhe karrierën’ (fotot)

21/04/2022 16:41

Aktorja amerikane Jennifer Grey e njohur për rolin e saj në filmin legjendar “Dirty Dancing” përkrah Patrick Swayze, kishte bërë një operacion estetik në hundë pas suksesit me filmin në vitin 1987.

Grey luante rolin e kërcimtares Frances “Baby” Houseman në filmin romantik të vitit 1987 që fitoi shpejt zemrat e publikut me skenat e vallëzimeve energjike dhe suksesit të kërcimtarëve.

Por nëna e saj i kishte sugjeruar operacionin e përmirësimit të paraqitjes së hundës së saj në menyrë që regjizorët ta merrnin në konsideratë dhe për role të tjera.

Pas dy operacioneve estetike në hundë, fytyra e saj kishte ndryshuar aq shumë sa në një premierë filmi kolegu i saj Michael Douglas nuk e kishte njohur.

“Ishte hera e parë që po dilja në publik,” kujton ajo në një intervistë të kohëve të fundit me revistën  PEOPLE .

“Dhe prej atëherë nisa të bëhem e padukshme, askush nuk më njihte më, sikur të mos isha më unë”.

Grey po publikon tashmë librin e saj të kujtimeve ‘Out of the Corner’, ku thellohet në detajet e asaj që kirurgjia kozmetike në fytyrë shkaktoi në jetën e saj. Në libër ajo kujton se nuk po gjente dot më punë në Hollywood.

Ajo shkruan: “Shpenzova aq shumë kohë për të kuptuar çfarë kisha bërë gabim, përse me kishin larguar nga ‘perandoria’, por ishte një gënjeshtër, unë kisha larguar veten”.

“Brenda një dite kisha humbur identitetin dhe karrierën time”, shton aktorja e kërcimtarja.

Mes të tjerash ajo shkruan në libër për mungesën e tërheqjes me protagonistin e famshëm në Dirty Dancing’, Patrick Swayze.

Më vonë Grey është paraqitur në disa seriale si Grey’s Anatomy e Dollface, si dhe ka fituar në një edicion të programit Dancing With the Stars në 2010.

FOTO GALERI
1/3
Aktorja Jennifer Grey e njohur për rolin e saj në filmin legjendar “Dirty Dancing” përkrah Patrick Swayze

Top Channel