“Rajoni do të merrte gaz nga TAP-i në Shqipëri”/ Berisha: Qeveria, qëndrim korruptiv me klientët

20/04/2022 13:01

Sali Berisha thotë se Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) që kalon përmes Shqipërisë, dhe që është miratuar kur ai ishte kryeministër, ishte planifikuar të furnizuar me gaz gjithë Europën.

Në një tryezë për krizën e sistemit energjetik shqiptar nga selia e PD-së, Berisha akuzon qeverinë për qëndrim korruptiv ndaj klientelës së gazit në vendin tonë.

Shqipëria ka tokën dhe detin të studiuar për erën, por asgjë nuk ka lëvizur. Shqipëria ka potencialin më të madh energjetik. Gazsjellësi TAP, është projekti më i madh i viteve në Europë, por qëndrimi i tyre (qeverisë) ka qenë korruptiv në raport me klientelën e gazit në Shqipëri.

Kontrata e votuar në parlament në vitin 2013 ka përcaktime ligje, në përputhje me të cilat konsorciumi i ndërtimit është i detyruar të lërë dalje në Seman. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Parashikimi ka qenë që rajoni gazin ta merrte nga TAP. hqipëria në këtë gazjellës ka fatin të jetë vendi i depozitave më të madhe në Europë të gazit. Është parashikuar që depozitat të jenë në Dumre. Në vitin 2014, Damian Gjiknuri ulet dhe firmos dhe njëherë për masterplanin e gazit. Në vitin 2021, Balluku ulet dhe firmos të njëjtin protokoll”, u shpreh ish-kryeministri.

Më tej, deputeti demokrat,  akuzoi qeverinë e kryeministrit Rama se në kundërshtim me ligjet e vendit zbrazi digat, dhe shiti energjinë me 42 euro në verë, kur në bursë çmimi i saj ishte 130 euro.

Sipas kompanisë TAP, segmenti europian i korridorit jugor të gazit ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit në disa tregje evropiane.

TAP transporton gaz natyror nga fusha e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Europë.

Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.

Kjo deklaratë e Berishës ka shqetësuar Partinë Socialiste, ku sekretari i Përgjithshëm i saj ka reaguar me anë të një postimi në ‘Facebook’ ku shkruan se Berisha ishte ai që i la në duar 9 vite më parë PS-së “kufomën energjitike” dhe tani ai vjen dhe sillet si engjëll para shqiptarëve.

Gjiknuri tha se Berisha nënshkroi një kontratë të pa favorshme për gazin ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar. Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar.

Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll ndonëse gjithësecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes.

Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin.

Investuam mbi 600 milion euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kapacitetet gjeneruese? Mjafton që kushdo të hapë raportin e ERE-s për vitin 2013 dhe ta krahasojë me raportin e vitit 2021. Kishim 1,878 MË kapacitete të instaluara publike/private ndërsa sot kemi 2,605 MË mes të cilave edhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike.

Dy fjalë dhe për gazin. Sali Berisha nënshkroi një kontratë të pa favorshme ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar. Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar. Kompania Albpetrol aplikoi menjëherë në 2014 për të rezervuar kapacitetet e gazit. Nuk kishte një sasi të disponueshme gazi sepse ajo ishte e rezervuar tashmë që në 2013 nga vende të tjera të cilat kishin ditur të negocionin më mirë se qeveria e Sali Berishës.

Ndonëse të vendosur në kushte të pafavorshme nga kontrata e trashëguar e Sali Berishës, në arritëm të siguronim nga TAP një paketë prej mbi 80 milion euro përfitime shtesë mes të cilave rritjen e investimeve në komunitetet ku kalonte tubacioni, asistencën teknike në sektorin e gazit natyror dhe ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së TAP në fazë operacionale nga pala shqiptare përmes Albgaz.

Së fundi, ndryshe nga sa gënjen Sali Berisha, Masterplani i Gazit për Shqipërinë dhe Identifikimi i Projekteve Potenciale kanë nisur të hartohen në vitin 2014 dhe kanë përfunduar në 2016 falë një financimi të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion Euro përmes Bankës Evropiane të Investimeve. Ky dokument strategjik orienton të gjithë procesin dhe strategjinë për gazifikimin e Shqipërisë dhe kthimin në një nyje të rëndësishme energjetike.

Kriminalistika e shpjegon qartë fenomenin e rikthimit të autorit tek vendi i krimit ndaj është i kuptueshëm tundimi i Sali Berishës për të folur rreth sektorit energjetik.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA