Një shaka presidenciale? PS fton për këshillim, gruan e kryeministrit, Ylli Ndroqin dhe konsullatën greke

20/04/2022 15:05

Maxhoranca socialiste ka bërë pjesë të konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës edhe shoqërinë civile.

Ky dokument është ftesa dërguar përmes postës elektronike organizatave të shoqërisë civile bashkëlidhur me një dokument Exel të listës së listës së 451 organizatave jo qeveritare.
Në emër të Taulant Ballës ftesa është dërguar nga një punonjëse e kryesisë së Kuvendi Shqipërisë. Lista në Exel mban emrin “Shoqëria Civile për Presidentin”.
Në pamje të parë duket një proces normal, ku shoqërisë civile i kërkohet ajo që i takon: mendim dhe pjesëmarrje në një vendim të rëndësishëm siç është zgjedhja e Kreut të ri të Shtetit. Por sa vlerë dhe kredibël është ky proces, e tregojnë faktet e mëposhtme.
Edhe shoqatat si ato të pyjeve dhe kromit, të grave për një bujqësi të qëndrueshme, të korrektimit e rehabilitimit njerëzor, janë lutur nga socialistët të vijnë me propozime konkrete.
Në këtë listë është e përfshirë si organizatë jo qeveritare edhe Konsullata Greke në Korçë. Në të tilla kushte për herë të parë socialistët i japin të drejtë për të propozuar, jo minoritetit grek, por një shteti grek në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Shembujt interesantë se kush mund të propozojë emrin e Presidentit, nuk mbarojnë. Për shembull në Shqiperi ka edhe një Shoqatë Bamirëse e Detarëve të Shqipërisë e krijuar nga një person me emer ekzotik. David Jonathan Pennoyer e ka mundësinë të propozojë pse jo ndonjërin prej detarëve të nderuar të vendit tonë për kryetar shteti, për shembull zotin Gjergj Luca.
Por pjesa më qershi e tortës, zbulohet më poshtë.

Përmes një kontrolli të plotë të kësaj liste vihet re se ajo është shumë e vjetër dhe e pa-freskuar.
Aq e pa freskuar, sa për të dhënë një emër për presidentin e ri të vendit, në këtë listë figuron edhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, e cila ka akoma në ftesë si mbiemër, atë qe ka patur kur president ishte akoma Alfred Moisiu.
Nga një verifikim, Top Channel arriti të mësojë se zonja Rama nuk është më drejtuese e kësaj organizate, por kjo nuk e ka penguar partinë e bashkëshortit te saj, ta ftojë për të dhënë kontributin e saj në përzgjedhjen e presidentit të ri.
Por nuk mbaron me kaq.
Nëse i referohemi kësaj liste edhe presidenti RTV Ora Ylli Ndroqi është ftuar të japë mend si kryetar i “Shoqatës së Konsujve të Nderit në Shqipëri”, në procesin President përzgjedhës. Në fakt zoti Ndroqi nuk është më kryetar i kësaj shoqate prej vitit 2018.
Ndërkohë nuk është me as konsull i Meksikës. Zoti Ndroqi sot është vetëm një person i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara.
Zoti Duka mund të jetë në lufte me qeverinë, por Federata e Futbollit mund të propozojë kryetarin e shtetit, për shembull lojtarin e shkëlqyer Sulejman Demollarin. Federata Shqiptare e Golfit, e cila megjithëse nuk ka asnjë fushe golfi në Shqipëri, mund të kërkojë për shembull që President i Republikës të jetë Dashamir Shehi.
Federata e skive që ka vetëm një atlet, që mori pjesë në dimëroren e Pekinit, gjithashtu është ftuar të propozojë. Dhe listën komike të kësaj oferte serioze të qeverisë, e mbyll Federata e Xhudos. Me rrezikun që propozimi i saj për të rikandiduar Ilir Metën, t’i rrëzohet i pari, nga trojka protokollare socialiste në takimin e pasdites.

Altin Azizaj: Ne do rekomandonim që të ketë një president grua, se do ishte historike për Shqipërinë. Nuk e ka pasur ndonjëherë.

Kolë Nikollaj: Do jetë shumë e vështirë të zgjedhim një president që t’i ulë në stol të gjithë. Është shumë pozitive që të jetë grua.

Esmeralda Hoxha: Ka ardhur koha të kemi një grua drejtuese të Republikës së Shqipërisë.

Zana Vokopola: Kriteret janë shumë pak. Kriteret që thotë Kushtetuta, të mos jetë në burg, 40 vjeç she shqiptar. Në burg ka qenë edhe Mandela, doli nga burgu dhe u bë president.

Agim Binaj: Ne kemi bërë një propozim zyrtar për zotin Kujtim Çako dhe është depozituar në sekretarinë tuaj.

Elton Zeneli: Zgjedhja e një kandidature nga komuniteti i artistëve, si një figurë përbashkuese që kanë dhënë kontribut dhe mund të japin edhe më shumë kontribut në rolin e presidentit.

Trokja socialiste mundi të takohej pasditen e kësaj të mërkure vetëm me Fatmir Mediun, kreun e grupit parlamentar “Aleanca për ndryshim”. Javën e ardhshme pritet takimi me Enkelejd Alibeajn dhe Mesila Dodën.

Top Channel