Rusia i vendosi një ultimatum të ri forcave ukrainase që po luftojnë për mbrojtjen e Mariupolit, e që janë mbledhur tani në kompleksin gjigand të celikut, Azovstal, ku vec tyre raportohet të jenë strehuar edhe civilë.

Qyteti port është prej më të goditurve nga furia e ushtrisë ruse, me bombardimet e pamëshirshme që e kanë kthyer gati në gërmadhë. Megjithatë, Mariupoli ende nuk është dorëzuar dhe kjo qëndresë e ka tërbuar Moskën, sipas ministrit të jashtëm ukrainas, ka vendosur që ta rrafshojë qytetin.

Orët e para të ditës së sotme, komandanti i marinsave ukrainas,  që po luftojnë me rusët të cilët e kanë rrethuar Azostalin, majori Serhiy Volyna  postoi një video ku thoshte se mund t’i kenë mbetur vetëm disa orë kohë. Ai tha se trupat e tij nuk do të dorëzohen, por bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare për 500 ushtarët e plagosur e qindra gra e fëmijë që po fshihen në fabrikë.

“Kjo mund të jetë hera e fundit që i drejtohemi botës, sepse ka mundësi të na kenë mbetur pak ditë në mos vetëm disa orë kohë. I bëjmë thirrje liderëve ndërkombëtarë të na ndihmojnë, të organizojnë nxjerrjen tonë prej këtej e dërgimin në një vend të tretë. Njësitë armike janë shumë herë më të mëdha në numër; ata kanë epërsi nga ajri, artileria, trupat tokësore, makinat e tanket. Të plagosurit tanë janë në gjendje mjaft të keqe. Janë në bodrum, praktikisht po kalben aty”, thotë Major Serhiy Volyna.

Rreth 130 mijë qytetare janë bllokuar në Mariupolin e rrethuar prej 50 ditësh, dhe kanë vështirësi të mëdha të sigurojnë ushqime, ujë e ilaçe. Ky qytet ka qenë një objektiv strategjik i Rusisë që prej fillimit të sulmit në 24 shkurt. Presidenti Volodymyr Zelensky i tha BBC-së se beson që atje mund të jenë vrarë rreth 20 mijë vetë nga bombardimet e Moskës, e nuk dihet sa të tjerë janë dërguar forcërisht në territorin rus.

Rusia nisi të martën një ofensivë të re për të marrë nën kontroll pjesën lindore të Ukrainës  nëpërmjet bombardimeve në rajonin Donbas dhe mori qytetin e Kreminës, por Ukraina tha se po mbronte territorin dhe po zmbrapste disa nga sulmet fillestare. “Një tjetër fazë e këtij operacioni fillon tani”, tha Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, duke shtuar se objektivi i Moskës është “çlirimi i plotë” territoreve të Donjetskut dhe Luhanskut në lindje. Në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes e quajti ofensivën e re ushtarake ruse një “prelud” i fushatave të tjera që do të pasojnë, duke shtuar se “ka vërtet mundësi që kjo të zgjasë, pasi të dyja palët kanë zënë pozicione te forta.

Zyrtari tha se Ukraina është në disavantazh numerik krahasuar me forcat ruse, por se “kjo nuk do të thotë se nuk kanë avantazhe të tjera apo kapacitetet për ta mbrojtur veten” me armët që “iu dërgohen çdo ditë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA