Freedom House: Thaçi e Haradinaj, lidhje me krimin e organizuar e korrupsionin!

20/04/2022 14:53

Në raportin e saj për Kosovën, të cilën e përshkruan si vend pjesërisht të lirë, Freedom House ka një reference mjaft të rëndë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e AAK-së Ramush Haradinaj.

Emrat e tyre përmenden në kontekstin e zgjedhjeve duke u përshkruar si figura të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar që ndikojnë në vendosjen e liderëve në pozita kyçe. Raporti flet kështu mes të tjerash dhe për emra të përvetshëm. “Freedom House” vlerëson se korrupsioni dhe klientelizmi shpesh bëjnë presion mbi votuesit gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se biznesmenët e fuqishëm në Kosovë mund të ndikojnë në zgjedhjet politike të punonjësve të tyre.

Gjithashtu thuhet se Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim në Listën Serbe, si dhe në zgjedhjet politike të serbëve etnikë në përgjithësi. Në raport Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, përfundimi është se vendi  shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00. Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA