Për herë të parë pas dy vitesh karantine në periudhën e Pashkëve, festës më të madhe të ortodoksëve në Greqi dhe jo vetëm, grekët do të festojnë tashmë të lirë duke shkuar në fshatrat e tyre të origjinës për tu mbledhur bashkë me miq dhe të afërm sipas traditës mijëravjeçare.
Por kriza energjetike, inflacioni dhe rritja galopante e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve kanë bërë që kjo të quhet Pashka më e shtrenjtë në vite.
Ndërsa vitet e tjera çmimi i kecit apo i qengjit në tregjet e lira ishte nga 5-8 euro kilogrami, sivjet ka shkuar në mbi 10 euro dhe në dyqanet e lagjeve pritet të shkojë në mbi 14 euro. Sipas gazetës Kathimerini sivjet pritet që vetëm një në katër grekë të pjekë gjithë qengjin duke preferuar sasi të vogla,ndaj dhe llogaritet se konsumi i sivjetshëm i mishit do të jetë shumë më i ulët se vitet e tjera.
Gjithashtu çmimet e karburanteve megjithë një ndërhyrje të qeverisë duket se nuk po ulen duke mbetur benzina në mbi 2 euro litrin, gati 45 cent më shtrenjtë se vjet dhe nafta për automjetet në mbi 1.7 euro litrin ,të paktën 55 cent më shtrenjtë se vitin e kaluar.
Ndërsa shumë grekë që kanë zgjedhur të shkojnë në ishuj kanë parë biletat e anijeve të kenë një rritje prej 16% krahasuar me vjet dhe ato të avionëve mbi 26.8%. Edhe tek sektori i hotelerisë vihet re një rritje e çmimeve prej 18,5%.
Sipas Institutit të Konsumatorëve përllogaritet se çmimi i mesëm i tryezës së Pashkëve të sivjetshme do të shkojë në mbi 50 euro ,rreth 18% më i shtrenjtë se vjet,pasi përveç mishit, edhe tek zarzavatet e frutat ka një rritje çmimi nga 15-30%.
Megjithëse sivjet pritet një prej daljeve më të mëdha nga qytetet drejt fshatrave,vendeve turistike apo ishujve,parashikohet se përsëri kjo përqindje nuk do të arrijë atë para pandemisë për shkak të rritjes së çmimeve.
Top Channel