Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi të dielën mbrëma se ka mbërritur në Prishtinë gazetarja e parë nga Ukraina, Lyudmila Makey, si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”.
Gazetarja Makey e cila është larguar nga Ukraina për shkak të agresionit të Rusisë, pritet që të vazhdojë punën e saj nga Prishtina.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, citon zonjën Makey të ketë thënë pas mbërritjes në aeroportin e Prishtinës, se sot është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë, duke nënvizuar se forcat ruse kanë vrarë 21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.
“Ju falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, citohet të ketë thënë ajo.
Gazearja ukrainase është e para që arriti në Kosovë pas zotimit të qeverisë për strehimin e 20 gazetarëve, pas agresionit rus në Ukrainë, raporton VOA.
Më një mars, qeveria e Kosovës ndau 150 mijë euro, për pranimin e njëzet gazetarëve nga Ukraina. Fondi do të mbulojë shpenzimet për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë për një periudhë deri në gjashtë muaj.
Gazetarja Lyudmila Makey u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një komunikate, qeveria e Kosovës citoi kryeministrin Albin Kurti të ketë thënë se “Kosova dënon fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionin në Ukrainë. Solidariteti ynë me popullin tuaj dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, citohet ai duke nënvizuar se Kosova është e përkushtuar të punojë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme dhe sigurinë globale.
Strehimi i gazetares ukrainase u mirëprit nga presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, i cili përmes rrrjetit social Twitter falenderoi Kosovën për mbështetjen e gazetarëve ukrainas. “Gazetarët janë të rëndësishëm!”, shkroi ai.
Top Channel