Call Centeri-i në Durrës mbyllet papritur! Dhjetëra punonjës që mbetën të papunë dalin në protestë

18/04/2022 11:06

Dhjetëra punonjës të një kompanie thirrjesh telefonike (call center) për qëllime tregtare kanë protestuar sot kundër mbylljes së degës në Durrës.

Punonjësit janë njoftuar nga punëdhënësi se dega e Durrësit do të mbyllet dhe se ata duhet të transferohen në Tiranë nëse duan të vazhdojnë punën. Të indinjuar nga kjo situatë që ka vënë në diskutim të ardhurat mujore me të cilët këta punonjës mbajnë familjet e tyre, protestuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për këtë pushim kolektiv nga puna që thyen kontratën e lidhur me punëdhënësin dhe shkel të drejtat e tyre.

Punonjësit kërkojnë të punojnë nga shtëpia. Janë 70 persona, 70 familjarë. Kompania do t’i heqë nga puna. Kompania u ka thënë të transferohen në Tiranë, me të njëjtën rrogë dhe t’i mbulojnë vetë shpenzimet”, thotë një punonjës.

E njëjta gjë na ka ndodhur një vit më parë. Një kompani tjetër bëri të njëjtën lojë dhe na transferoi te kompania ku jemi aktualisht. Kur firmosëm, na garantuan që puna do të ketë vazhdimësi dhe nuk do të kemi probleme. Akoma pa mbyllur vitin, na thërrasin të gjithëve më vete në zyrë dhe na thonë që kompania nuk ka mundësi më të na japë punë, kështu që ikni në vende të tjera”, shprehet një tjetër punonjëse.

Transferimi në Tiranë, sipas tyre, është i papranueshëm pasi kostot e shumta kohore dhe financiare që sjell duhet të mbulohen me të njëjtën pagë që është më e ulët se ajo e operatorëve të Tiranës.

Këta punonjës kanë lidhur kontratë me afat të pacaktuar 11 muaj më parë me kompaninë, por ende pa u mbushur një vit ata rrezikojnë të dalin në rrugë.

Top Channel