Cadiz “mace e zezë” për Barcelonën, ndalet ecuria me 7 fitore radhazi nga katalanasit

18/04/2022 23:01

Ecurisë prej shtatë fitoreve radhazi të Barcelonës i erdhi fundi pasi Cadiz i mposhti katalanasit në shtëpinë e tyre, Cam Nou me rezultatin 0-1.

Eliminimi nga Europa League përballë Eintracht Frankfurt duket se ka lënë shenjë te blaugranët, me të besuarit e trajnerit Xavi Hernandez që nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Gjithsesi, rezultati nuk është një surprizë duke qenë se Cadiz edhe në fazën e parë të kampionatit e ndali Barcelonën në një barazim pa gola.

Sa i takon kronikës së sfidës, në fillimin e pjesës së parë, Barcelona pati shansin me anë të Dembele e Ferran Torres, mirëpo topi nuk iu “bind” futbollistëve të Barcelonës dhe miqtë ia “hodhën” në një moment të vështirë.
Me kalimin e minutave, loja u balancua dhe Cadiz nisi të shoh përpara ndërsa shpërdoroi një rast flagrant me anë të Lucas Perez, teksa katalanasit dhe portieri Ter Stegen patën fatin nga ana e tyre. Megjithatë, në fraksionin e dytë, lojtari i Cadiz nuk i fali blaugranët dhe shënoi duke dërguar në festë të tijtë. Kundërpërgjigja e Barcelonës erdhi me anë të Dembele, mirëpo goditja e francezit në limitet e zonës së rreptësisë përfundoi ngjitur me shtyllën.

Në të 68-tën, sërish Dembele, më aktivi për Barcelonën, godet fort nga distance por gjen të përgatitur portierin Ledesma.
Sakaq, Cadiz është i rrezikshëm në kundërsulm dhe i afrohet golit në minutën e 76, por goditja e Alex Fernandez përfundon jashtë me Ter Stegen që në atë moment ishte i dorëzuar. Pas dy minutash, Luuk De Jong i afrohet golit të barazimit pas një tentative me kokë, por portieri i Cadiz ishte në pozicion.

Në fund, sërish gardiani Ledezma bën mrekullinë ndaj Aubameyang duke ruajtur suksesin e shokëve të skuadrës.
Pas kësaj disfate, Barcelona mbetet në vendin e dytë me 60 pikë, po aq sa Sevilla dhe Atletico Madrid, por me katalanasit që kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar. Nga ana tjetër, Cadiz hedh një hap të madh drejt mbijetesës në La Liga, teksa ngjiten në kuotën e 31 pikëve në vendin e 16-të.

Top Channel