Zef Hila, një nga mbështetësit e platformës së Enkelejd Alibeajt tani është rreshtuar në anën e kritikëve të kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike.
Sipas Hilës, draftplatforma “lë shumë hapësira dhe krijon ngërçe, të cilat nuk zgjidhin por përkeqësojnë situatën në radhët e demokratëve”.
Në një postim në rrjetin social “Faceboook”, Hila jep qëndrimin e tij, që është i ndryshëm nga ai i një dite më parë dhe mbi të gjitha kërkon “shfuqizimin e çdo vendimi për përjashtim të deputetëve të grupit parlamentar”.
Postimi i plotë në “Facebook”:
Të nderuar demokratë të Bashkisë Vau Dejës dhe Qarkut të Shkodrës,
Si përfaqësues i juaji në Parlamentin Shqiptar, pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin tim personal për të sqaruar të gjithë demokratët e Qarkut Shkodër, për qëndrimin tim lidhur me situatën aktuale në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Situata e vështirë, në të cilën po kalon forca e vetme me frymë demokratike, e lindur në vitet 90 për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, sot ka nevojë për Bashkim, dhe asnjë “përçarje”.
Të gjithë jemi njohur me platformën e propozuar, e cila lë shumë hapësira dhe krijon “ngërçe”, të cilat nuk zgjidhin por përkeqësojnë situatën në radhët e demokratëve.
Si zëri juaj dhe përfaqësues i demokratëve ndjej detyrimin t’ju bëj me dije qëndrimin tim përballë kësaj situate:
1. Grupi parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 duhet të jetë unifikues, duke filluar me shfuqizimin e çdo vendimi për përjashtim të deputetëve të grupit parlamentar.
2. Të gjithë demokratët duhet te jenë të bashkuar nën një sigël të vetme të Partisë Demokratike.
3. Vota e lirë e çdo demokrati është baza për zhvillimin dhe forcimin e Partisë Demokratike.
Ky është qëndrimi im përballë demokratëve, çdo kërkesë përjashtuese ndaj çdo demokrati thellon krizën ndërkohë që sot është koha vetëm për bashkim rreth vlerave të demokratëve.
Enkelejd Alibeaj ka propozuar një draftplatformë për të bashkuar demokratët duke sugjeruar që të anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimit dhe të gjithë anëtarët e përjashtuar të kthehen në grup.
Plarforma është e Lefter Gështenjës dhe mbështetet nga Alibeaj.
PLATFORMA
Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm, dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.
Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.
Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi.
Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:
Hapi 1: Certifikimi i anëtarësisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.
Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, çështja zgjidhet nga GPPD.
Top Channel