Platforma e bashkimit, Alibeaj prezanton qëndrimin e miratuar: Gëzon mbështetje të gjerë

16/04/2022 10:45

Me mbështetjen e 31 deputetëve të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot platformën për bashkimin e demokratëve.

Në dokumentin e mbështetur në 5 pika kryesore, Alibeaj tha se pas këtij hapi, aktet e bashkimit duhet të jenë konkrete, dhe mbi të gjitha duhet të tregojnë që Partia Demokratike, nuk ka të tepërt asnjë anëtar të saj.

Çfarë përmban platforma e prezantuar nga Alibeaj për bashkimin e PD:

1. Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.

2. Çdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, në funksion të frymës së bashkimit dhe gjithëpërfshirjes, duhet të anullohen dhe të shtyhen në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.

3.
Grupi Parlamentar duhet të ngrejë një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e proceseve të zgjedhjeve dhe organizimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar. Vendimet e grupit të punës merren me konsensus.

4. Grupi i Punës i ngritur nga GPPD të përcaktojë strukturat zbatuese të këtij plani bashkimi. Në nivel dege procesi realizohet nga grupe pune të përbashkëta të ngritura dhe monitoruara nga GPPD, që funksionojnë me analogji me Grupin e Punës sipas pikës 3. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Duhet të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

5. Grupi Parlamentar duhet të ngrejë grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Aplikimi i parimeve të mësipërme në vlerësimin e të gjithë ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjej rastin të apeloj çdo koleg tjetër deputet që të mbështesë këtë qëndrim, në emër të demokratëve të sakrificave, në emër të bashkimit të Partisë Demokratike, në emër të interesit të demokratëve.

Top Channel